Përmbytjet në Gjilan – Foto: KALLXO.com

Rritet numri i viktimave nga përmbytjet në Evropë

Numri i viktimave nga përmbytjet e fundit në Evropë ka arritur në 193, njoftuan autoritetet më 18 korrik. Ndërkaq, dhjetëra persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.

“Ekziston frika që numri i viktimave do të rritet”, tha policia në rajonin gjerman Rhineland-Palatinate. Në këtë deklaratë të policisë u tha se vetëm në këtë rajon, 670 persona janë lënduar.

Përveç katër shteteve të goditura më së keqi nga përmbytjet – Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu – me përmbytje tani po përballen edhe Zvicra, Austria dhe Republika Çeke.

Të paktën 156 persona kanë vdekur në Gjermani, në atë që është përshkruar si përmbytjet më të këqija në historinë e këtij shteti. Ndërkaq, numri i viktimave nga përmbytjet në Belgjikë ka arritur në 27.

Të paktën një person është raportuar se ka humbur jetën në Bavari të Gjermanisë, pranë kufirit me Austrinë, gjatë shirave të rrëmbyeshëm në natën ndërmjet 17 dhe 18 korrikut. Në Bavari është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

“Shirat dhe stuhitë fatkeqësisht po shkaktojnë dëme të rënda në Austri”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel planifikon që ta vizitojë qytetin Shuld më 18 korrik, për të parë dëmet e shkaktuara dhe për të takuar të mbijetuarit. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka vizituar zonat e përmbytura më 17 korrik dhe bëri thirrje për ndihmë dhe donacione për viktimat e përmbytjeve.

Ndërkaq, shërbimet e trenit ndërmjet Gjermanisë dhe Republikës Çeke janë pezulluar për shkak të problemeve teknike “të shkaktuara nga kushtet e motit”. Zyrtarët thanë se linjat hekurudhore do të rinisin punën më vonë gjatë 18 korrikut.

Shkalla e fatkeqësisë në Gjermani është bërë më e qartë teksa ushtarët, me makina të blinduara, po pastrojnë rrugët dhe inxhinierët po vlerësojnë se cilat ndërtesa duhet të shemben. Në zona të tjera, zhytësit kontrolluan shtëpitë dhe veturat e përmbytura.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka vizituar zonat e përmbytura në Belgjikë dhe ka postuar në Twitter një mesazh ku thuhej: “Evropa është me ju”.

Belgjika ka shpallur 20 korrikun ditë zie për të nderuar viktimat e përmbytjeve./REL