Rritet numri i të prekurve me coronavirus në Ferizaj, gjithsej 81 raste

15 raste të reja me coronavirus janë raportuar në Ferizaj mbrëmjen e sotme nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Të gjitha rastet sipas IKSHP-së janë raste kontakti.

Sipas ndarjes, nga 15 rastet, 10 janë në Ferizaj, 3 në Mirash, një në Mirosal dhe një tjetër në Kosinë.

Numri total i personave të prekur në Ferizaj është 81. Pra numri i të infektuarve në Komunën e Ferizajt është rritur edhe më shumë pas analizave të fundit që janë bërë në Laboratorin e IKSHP-së.

Sot më 17 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 209 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Gjithsej në Kosovë me 31 rastet e fundit janë 480 persona të regjistruar me coronavirus. IKSHP ka njoftuar sot edhe se pesë pacientë janë shëruar ndërsa numri në total i të shëruarve është 84.