Rritet numri i të hospitalizuarve me coronavirus

Numri i personave që janë shtruar në Klinikën Infektive me coronavirus është rritur në 43.

Kështu ka njoftuar Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Sipas Hotit, shtatë pacientë janë në përkujdesje intensive.

“Në Klinikën Infektive të QKUK-së sot më 1 prill 2020 janë të hospitalizuar 43 pacientë me Covid 19. Nga 43 raste të sëmurë me Covid 19: 36 pacientë janë në gjendje stabile, 7 pacientë janë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”, ka njoftuar Hoti.

Tutje Hoti ka njoftuar se Klinika Infektive është në pritje të rezultateve për Covid-19 për 10 pacientë të tjerë.

Ndërsa sa i përket stafit të Klinikës Infektive, të vërtetuara me Covid 19 vazhdojnë të jenë tre infermiere në gjendje të mirë shëndetësore, prej të cilave dy janë duke u trajtuar në klinikë ndërsa njëra është e vetizoluar në shtëpi.

Deri sot në Kosovë janë konfirmuar 112 raste me coronavirus. Gjashtë nga ta janë shëruar, ndërsa është shënuar një viktimë.