Rritet numri i rasteve me COVID-19 në botë, MSh iu bën thirrje qytetarëve të vaksinohen

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Kosovë këto ditë numri i rasteve të reja me COVID-19 është i vogël dhe se nuk ka raste të vdekjes nga kjo sëmundje.

Por, sipas MSh-së, në vende të ndryshme të botës numri i rasteve është rritur.

“Kosova shënon këtyre ditëve numër të vogël të rasteve të reja të COVID-19 dhe për më tepër, prej disa javësh, fatmirësisht, nuk ka as raste të vdekjeve nga kjo sëmundje. Por, në vende të ndryshme të botës, këtyre ditëve sërish janë regjistruar raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, bëhet e ditur në njoftimin e MSh-së.

Ministria e Shëndetësisë ju ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me dozën e para ata që ende nuk e kanë bërë, si dhe të tjerët me dozën e dytë dhe të tretë të vaksinës kundër COVID-19.

“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se dje në 24 orët e fundit janë dhënë vetëm 17 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Sipas Institutit, prej fillimit të vaksinimit në gjithë Kosovën janë dhënë 1.825.396 doza të vaksinës.