Rritet numri i pacientëve me COVID-19 në spitalet e Kosovës

Zyra për informim e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se në klinikat e QKUK-së dhe 7 spitale të përgjithshme janë duke u trajtuar 268 pacientë me COVID-19.

“Nga raportimet ditore të klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës që merren me trajtim të rasteve me Covid-19 dhe 7 spitaleve të përgjithshme, njoftohet se në nivel të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), janë duke u trajtuar 268 pacientë me Covid-19 pozitiv,” thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit 166 prej tyre janë në klinikat e QKUK-së dhe 102 në spitalet e pergjithshme.

Prej 100 pacientëve në Klinikën Infektive 61 janë në oksigjenoterapi, 2 raste të komplikuara.

Në Klinikën e Pulmologjisë janë 44 pacientë të gjithë në oksigjeniterapi, kurse në njësinë intensive të Mjekësisë Sporttive janë 22 pacientë ku 4 prej tyre janë të intubuar.

Në Spitalin e Prizrenit 24 raste të konfirmuara, në Pejë 42 raste, në Gjakovë 19 raste, në Spitalin e Ferizajt 6 raste, në Gjilan 5 raste, në Mitrovicë 6 raste të konfirmuara pozitive dhe në Spitalin e Vushtrrisë për momentin nuk ka raste të konfirmuara.

Numri i të infektuarve në Kosovë ka shkuar në 4100, prej tyre 2063 të shëruar dhe 86 vdekje.