Rritet numri i pacientëve me COVID-19 në ShSKUK

Numri i pacientëve të hospitalizuar në klinikat dhe spitalet rajonale në Kosovë, është rritur nëse e krahasojmë me vetëm një ditë më parë.

Në raportin e fundit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës thuhet se 216 pacientë me coronavirus janë të hospitalizuar përderisa dje ishin të hospitalizuar 204 të tillë.

Sa i përketë gjendjes së tyre në raport thuhet se 141 pacientë janë me oksigjeno – terapi ndërsa pesë prej tyre në mjekim intensiv në Klinikën Infektive.

Në Klinikën Infektive apo klinikën për sëmundje ngjitëse shërbim mjekësor janë duke pranuar 88 pacientë, në atë të Pediatrisë tetë pacientë, në Pulmologji dy pacientë.

Nga të dhënat e ShSKUK-së po ashtu thuhet se 13 pacientë me coronavirus janë duke u trajtuar edhe në Klinikën e Gjinekologjisë.

Që nga fillimi i pandemisë pacientë me SARS-CoV-2 janë trajtuar edhe në shtatë spitalet rajonale në vend.

Aktualisht spitali regjional në Pejë ka më së shumti pacientë, 21 të tillë, spitali në Gjakovë dhe Mitrovicë kanë 19 pacientë, ai në Prizren 17 pacientë, 16 të tillë në Gjilan si dhe gjashtë pacientë janë duke u trajtuar në spitalin e Ferizajt.

Aktualisht në nivel vendi janë mbi 34 mijë raste aktive me coronavirus.

SARS-CoV-2 që nga 13 marsi i vitit të kaluar e deri më tani ka prekur mbi 200 mijë qytetarë përderisa mbi 3 mijë kanë vdekur.