Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rritet numri i gjobave për mosrespektim të masave kundër COVID-19

Për vetëm brenda një ditë është rritur numri për më shumë se 1 mijë e 500 gjoba të shqiptuara për personat që kanë shkelur ligjin për COVID – 19.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme, 30 gusht 2021 ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 479 tiketa, përderisa më 29 gusht janë shqiptuar vetëm 728 tiketa të tilla.

Një thirrje që organet kompetente të jenë sa më të rreptë në kontrollimin e respektimit të masave, si dhe në ndëshkimin e shkelësve të tyre e bëri dhe Kryeministri i Kosovës.

Kjo thirrje iu drejtuar anëtarëve të Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 nga Qeveria e Kosovës, të cilët sot kanë mbajtur mbledhjen e parë.

“Në mënyrë që zbatimi i masave të jetë sa më i përpiktë, kërkoj nga ju të shfrytëzoni të gjitha resurset të inspektimit që keni në dispozicion, duke përfshirë inspektorët e AUV-it, inspektorët e MINT-it (sidomos inspektorët e tregut), inspektorët komunalë dhe Policinë e Kosovës”, u tha kryeministri anëtarëve të Komitetit.

Sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikë së Kosovës gjoba më e lartë është 2 mijë euro për personat juridik të cilët organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent dhe po ashtu ndalohet aktivitetit, ndërkaq dhe personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë me dy mijë euro.

Ndërsa gjoba më e ulët është ajo e 35 eurove për persona fizik që nuk mbajnë maskën dhe distancë fizike të përcaktuara nga organet kompetente.