Rritet numri i biletave të shitura për t'u larguar nga Rusia, pas thirrjes së Putinit për “mobilizim të pjesshëm”

Biletat e fluturimeve njëdrejtimshe nga Rusia po shiten me shpejtësi, kjo pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi thirrjen e menjëhershme të 300 mijë rezervistëve.

Njoftimi i Putinit, i cili është bërë përmes një fjalimi televiziv sot në mëngjes, ngriti frikën se disa burra në moshë për ushtri nuk do t’iu lejohet të largohen nga Rusia, raporton Reuters.

Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se thirrja do të kufizohej për ata me përvojë si ushtarë profesionistë ndërsa studentët dhe ata që kishin shërbyer vetëm si rekrutë nuk do të thirreshin.

Megjithatë, të dhënat e Google Trends treguan një rritje të kërkimeve për Aviasales, i cili është uebsajti më popullor i Rusisë për blerjen e biletave për fluturime.

Fluturimet direkte nga Moska në Stamboll në Turqi dhe Jerevani në Armeni, të dyja destinacione që lejojnë rusët të hyjnë pa vizë, u shitën të mërkurën, sipas të dhënave të Aviasales.

Disa rrugë me ndalesa, duke përfshirë ato nga Moska në Tbilisi, ishin gjithashtu të padisponueshme, ndërsa fluturimet më të lira nga kryeqyteti në Dubai kushtonin më shumë se 300 mijë rubla (5,000 dollarë) – rreth pesëfishi i pagës mesatare mujore.