Rritet kërkesa për speca të Kosovës nga vendet skandinave

Kultivuesit e specave në komunën e Lipjanit, kanë nisur eksportin e tyre jashtë vendit.  Sipas fermerëve, janë shtuar kërkesat për specat e Kosovës, sidomos në vendet skandinave.

Fermeri Mehdi Bresilla i cili në Llugaxhi të Lipjanit ka mbi 8 hektarë të mbjellë me speca, tashmë ka nisur transportimin e tyre drejt Evropës. Javën që shkoi  ai nisi për Suedi rreth 15 tonë speca. Të gjithë kulturën e specit prej 220 mijë kilogramësh, Bresilla planifikon ta eksportojë në shtetet skandinave.

“Këtë vit e kemi rritë sipërfaqen, se vitin e kaluar  i kemi pas rreth 7 hektarë. Arsyeja pse e kemi rritë  sipërfaqen, është sepse importuesi i cili i ka marrë prodhimet e tona, thotë se destinacionin e fundit ku kemi shku në Evropë, thotë konsumatorët janë nda të kënaqur, janë rritë kërkesat për këtë material të cilin na e kemi eksportua”, thotë fermeri Mehdi Bresilla.

Bresilla planifikon që të eksportojë edhe lakër, një nga kulturat që ai kultivon. Për dallim prej Bresillës, fermerit tjetër, Faton Avdiu, tregu i Kosovës po i del i mjaftueshëm.

“Sipërfaqja e jonë është sipërfaqe e vogël, pra kemi 60 ari edhe mudn ta shesin shumë lehtë”, thotë fermeri  Faton Avdiu. “Kjo është kulturë shumë e kërkuar”.

Tregu evropian viteve të fundit është hapur dhe ka interesim për produktet e Kosovës./RTK