(Ilustrim) - Foto: Naser Sertolli/KALLXO.com
Rritet buxheti për barna esenciale e ndahen para për trajnime të mjekëve
Buxheti për barnat esenciale dhe materiale të tjera të nevojshme shëndetësore për vitin 2025 pritet të jetë 105 milionë euro, rreth 45.6 milionë euro më shumë se sa ishin ndarë për Listën e Barnave Esenciale në vitin 2024.
Gjithashtu, për herë të parë, Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka ndarë para edhe për trajnimet e mjekëve.
Qeveria e Kosovës miratoi Ligjin për Buxhetin për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro, dy ditë më parë, më 30.10.2024, ligj i cili pritet të shkojë për shqyrtim dhe votim në Kuvend.
Ndërsa, për vitin 2024 Qeveria kishte ndarë mbi 59.3 milionë euro për Listën e Barnave Esenciale, prej të cilave 21.2 milionë i takonin Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbi 38 milionë ShSKUK-së.
Ky buxhet ishte më i ulët se sa në vitin 2023, kur për barna esenciale u patën dedikuar 60 milionë euro.
Përveç se për barna, ShSKUK pritet që të ketë më shumë para edhe për investime kapitale.
Drejtori Elvir Azizi njoftoi se buxheti i këtij institucioni do të jetë rreth 5 milionë euro më i lartë në vitin e ardhshëm, edhe pse tha se ata kanë kërkuar edhe më shumë.
“Kërkesa jonë gjatë dëgjimit buxhetor ka qenë më e madhe por për vitin 2025 na i ka shtu edhe nja 5 milionë euro. 1.5 milionë janë për barna dhe 3 milionë e diçka për investime kapitale” – tha Azizi në mbledhjen e Bordit të ShSKUK-së, të mbajtur më 30.10.2024.
Në të njëjtën mbledhje, ai tregoi se kanë ndarë 1 milionë euro për trajnime profesionale për mjekët.
Pikërisht për mungesë të mbështetjes së mjaftueshme për edukim dhe trajnim të vazhdueshëm të stafit shëndetësor kishte shkruar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditmit për listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike.
Disa ditë më vonë, ShSKUK njoftoi se ka lidhur memorandum bashkëpunimi me Odën e Mjekëve të Kosovës (OMK), për mbështetje financiare për trajnime specifike për mjekë.
Azizi tha për KALLXO.com se përveç 1 milionëshit të ndarë nga ta, edhe Oda do të ketë një pjesë të kontributit financiar.
“Bashkë me Odën kanë me u përzgjedh temat dhe profilet më të ngushta për të cilat kanë me apliku njerëzit. Edhe ne kemi me i këqyr interesat, ku duhet profilizim që na vyn dhe kemi me i dërgu njerëzit në bazë të nevojave reale të ShSKUK-së” – shtoi Azizi.
Ai shtoi se deri më tani kanë formuar një komision të përbashkët dhe kanë bërë procedurat standarde operative, në bazë të të cilave do të veprojnë.
KALLXO.com ka raportuar disa herë gjatë këtij viti për mungesë të barnave esenciale nëpër institucione publike shëndetësore.