Rriten tensionet etnike, myslimanët në shënjestër pas zgjedhjeve në Mal të Zi

Sulmuesit thyen xhamat e një ndërtese të komunitetit islamik në qytetin e Pljevlja, ndërsa boshnjakët e Mali të Zi u ankuan se ishin vënë në shënjestër pas zgjedhjeve të fituara nga blloqet e opozitës që përfshijnë partitë pro-serbe.

Kryeimami në qytetin Pjevlja në Mal të Zi, Samir Kadribasiç, tha të mërkurën se persona të panjohur kanë thyer dritaret në zyrën lokale të Komunitetit Islamik, organi zyrtar që përfaqëson myslimanët e vendit.

Kadribasiç tha për BIRN se dikush hodhi një mesazh përmes një dritareje të thyer duke paralajmëruar se “Pljevlja do të jetë Srebrenica” – qyteti popullata boshnjake e të cilit u masakrua nga forcat serbe të Bosnjës në 1995.

“Kam frikë se do të ketë ndonjë reagim nga pala tjetër (boshnjakët) dhe se kjo do të shkaktojë kaos”, tha Kadribasiç.

“Do të mbaj policinë drejtpërdrejt përgjegjëse, nëse ata nuk i gjejnë autorët”, shtoi ai.

Kryepeshkopi Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve që të gjejnë autorët, duke thënë se në vend nuk duhet të ketë tensione etnike.

“Kjo nuk është një formë autentike e shprehjes së urrejtjes fetare, intolerancës dhe huliganizmit, por është një plan i mirëmenduar për të rritur tensionet për shkak të rezultatit të zgjedhjeve”, tha Amfilohije në një deklaratë.

“Një sulm ndaj myslimanëve të Pljevlja është një sulm ndaj çdo të krishteri në Pljevlja dhe ndaj çdo qytetari të Malit të Zi”, shtoi ai.

Tre blloqet kryesore opozitare të vendit fituan një shumicë të vogël parlamentare në zgjedhjet e mbajtura të dielën, duke mundur Partinë Demokratike të Socialistëve, partinë që ka qenë në pushtet për tre dekada me radhë.

Që atëherë, mbështetësit e opozitës kanë vazhduar të festojnë, duke brohoritur parulla kundër presidentit Milo Djukanoviç, udhëheqësit të Partisë Demokratike të Socialistëve, dhe duke valëvitur flamuj të Malit të Zi dhe Serbisë. Disa nga partitë në blloqet e opozitës janë fuqimisht pro-serbe.

Të martën, policia raportoi incidente në disa qytete malazeze dhe tha se boshnjakët ishin sulmuar verbalisht dhe fizikisht në Pljevlja.

Tre persona nga Pljevlja u akuzuan se sulmuan një burrë dhe tre incidente të tjera u raportuan në qytet.

Policia tha se grindjet midis mbështetësve të opozitës dhe atyre të partisë në pushtet u raportuan gjithashtu në Podgoricë dhe qytetet Niksic, Herceg Novi dhe Tivar.

Të mërkurën kreu i Komunitetit Islamik në Bosnjë dhe Hercegovinë, Husein Kavazoviç, u bëri thirrje autoriteteve malazeze të mbrojnë pakicën myslimane të vendit.

“E gjithë kjo na kujton ideologjitë që tashmë kanë çuar në krime lufte dhe gjenocid në rajon gjatë viteve 1990”, tha Kavazoviç në një deklaratë.

Udhëheqësi i bllokut të opozitës E Zeza në të Bardhë, Dritan Abazoviç, vizitoi Pljevljën dhe bisedoi me kryeimamin Kadribasiç. Më pas ai u bëri thirrje mbështetësve të opozitës t’i japin fund festimeve të tyre në rrugë.

“Tani detyra kryesore e të gjitha partive në qeverinë e re është të ruajnë paqen, të përfundojnë tranzicionin pa ndonjë provokim dhe incident që dëshirohet nga Partia Demokratike e Socialistëve, në mënyrë që të fillojmë spastrimin e kaosit të madh që ata na lanë pas gjatë këtyre tri dekadave”, tha Abazoviç të martën.

Presidenti Milo Djukanoviç ka akuzuar opozitën se ajo është përgjegjëse për incidentet pas fitores së saj elektorale, duke thënë se partitë e opozitës po promovojnë ide nacionaliste.

“Fituesit kanë arsye për të festuar, por kjo festë gjithmonë nënkupton një qëndrim të civilizuar ndaj qytetarëve të tjerë dhe ndaj ruajtjes së stabilitetit të Malit të Zi. Natën e kaluar ne pamë një shpërthim të intolerancës, agresionit dhe primitivizmit”, tha Djukanoviç të martën për TV Neësmax Adria.

Ministri i brendshëm malazez Mevludin Nuhodziç është zotuar të ruajë paqen dhe stabilitetin.

Mali i Zi është një shtet multi-etnik në të cilin asnjë komunitet nuk ka shumicën absolute. Rreth 45 për qind e popullsisë identifikohet si malazeze dhe rreth 29 për qind si serbe.

Boshnjakët përbëjnë afërsisht 8.3 për qind të popullsisë dhe kryesisht jetojnë në qytetet veriore si Rozaje, Pljevlja, Bijelo Polje, Petnjica, Plav dhe Gusinje.