Eksporti - Foto: REL/EPA

Rriten shkëmbimet e Kosovës me BE-në, përgjysmohet importi nga vendet e CEFTA-s

Në muajin gusht të këtij viti, Kosova rriti shkëmbimin e përgjithshëm tregtar të mallrave në raport me muajin i njëjtë të vitit të kaluar.

Kosova më shumë bleu mallra nga Bashkimi Europian dhe vendet e tjera të lindjes, përderisa shkëmbimi me vendet e CEFTA-s gati sa nuk u përgjysmua.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tregtinë e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 1.2 për qind në muajin gusht 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Përkthyer në vlerë monetare: 279.9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 276.5 milionë euro në vitin 2018.

Gjatë gushtit, edhe eksporti edhe importi shënoi rritje.

“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2019 kishte vlerën 31.9 milionë euro, ndërsa importi 311.8 milionë Euro, që është një rritje prej 4.7% për eksport dhe një rritje prej 1.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, thonë statistikat e ASK-së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.1 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt, prej tyre; 12.7 për qind të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.5 për qind të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt, prej tyre; 10.9% të eksporteve e përbëjnë prodhimet bimore; 7.9 për qind të eksporteve e përbëjnë prodhimet minerale; 5.8% të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.5 për qind të eksporteve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Për dallim nga eksportet, në muajin gusht më shumë u importuan ushqime të përgatitura, pije e duhan.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import 16.9% të importeve e përbëjnë prodhimet minerale, 14.1% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.3% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 9.2% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.6% mjetet e transportit, 6.4% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 6.2% prodhimet e industrisë kimike etj.”, thekson ASK.

Importet nga BE-ja përmbysin eksportin e vendit

Mallrat e Kosovës drejt Bashkimit Europian shënuan rënie, por jo edhe blerja e mallrave prej vendeve të BE-së.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 9.1 milionë euro, ose rreth 28.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 13.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania (7.7%), Britania e Madhe (3.6%), Holanda (3.4%), etj.”, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së, sipas ASK-së ishin rreth 160 milionë euro, ose 51.3 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 24.8 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania 12.0 për qind, Greqia  7.0 për qind, Italia 6.6 për qind, Bullgaria 4.1 për qind, Polonia 3.6 për qind, Sllovenia 3.6 për qind, etj.

Përgjysmohet shkëmbimi i mallrave me vendet e CEFTA-s

Në raportin e ASK-së thuhet se në muajin gusht 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 13.8 milionë euro, ose 43.3 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 10.4 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria 18.5 për qind, Maqedonia 9.9 për qind, Serbia 8.5 për qind, dhe Mali i Zi 4.5 për qind.

Blerja e mallrave nga vendet e CEFTA-ve gati përgjysmohet në muajin gusht.

“Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin gusht 2019, arritën në 47.2 milionë euro, ose 15.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 47.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Shqipëria (7.1%), Maqedonia (7.1%), dhe Serbia (0.1%).”, thotë ASK.

Tutje në raportin e ASK-së përmendet se eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë euro, ose 28.1 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden India  15.4 për qind dhe Zvicra  8.2 për qind.

Mbi 100 milionë euro importe, kryesisht nga Turqia e Kina

“Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 104.5 milionë euro, ose 33.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (10.5%) dhe Kina (10.4%)”, thotë raporti.