Rriten rastet me COVID-19 Infektologu flet për kapacitetet e Klinikës Infektive

Një rritje e numrit të rasteve me COVID-19 është shënuar në ditët e fundit në Kosovë në kohën kur po i afrohemi sezonit të ftohtë me gripe sezonale.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të mërkurëb ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar 124 raste të reja të infektimit me COVID-19.

Infektologu, Salih Ahmeti, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të hospitalizuar  80 pacientë,  tre prej të cilëve në gjendje të rëndë.

“Kemi rritje të numrit të rasteve të pacientëve të cilët kërkojnë vizita dhe ekzaminime klinike këtu tek ne, sidomos javën e fundit është rritë po ashtu edhe numri i pacientëve të cilët kanë nevojë për hospitalizim” , tregoi ai.

Sa i përket kapaciteteve të Klinikës, Salihu tha se momentalisht qëndrojnë mirë

“Për situatën e tanishme epidemiologjike ne jemi mjaftueshëm (të furnizuar) krahas Klinikës Infektive për pacientët të cilët kanë nevojë për respiratorë aktualisht është edhe mjekimi intensiv qendror i cili aktualisht ka kapacitete të mjaftueshme për futjen në respiratorë të pacientëve të cilët kanë nevojë apo kanë indikacione”
Pacientët me COVID-19 sipas Ahmetit po trajtohen me tre lloje të barnave, mirëpo sipas infektologut kjo terapi nuk mund të bëjë mrekulli.

“Asnjëri prej këtyre barnave nuk është bar që bënë mrekulli që vendosë definitivisht për jetën apo vdekjen e një pacienti por janë barna të cilat ndihmojnë në raste të rënda të pacientëve”, ka treguar ai.

Salihu tutje ka treguar edhe fazën e infektimit kur preferohet përdorimi i kësaj terapie.

“Kjo terapi antivirale është shumë më efektive kur jepet në ditët e para të sëmundjes, e dëshirueshme është prej ditës së pestë, ditës së shtatë maksimalisht deri në ditën e dhjetë. Gjitha këto barna që kanë veprime antivirale kanë efekte të mira nëse jepen deri në ditën e shtatë eventualisht ditën e dhjetë, dhënia e këtyre barnave pas ditës së dhjetë i zvogëlon efektet e tyre apo zbehë efektet e tyre terapeutike”, tha ai.

Infektologu  tha se duhet të bëhen më shumë teste në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë se sa është numri i të infektuarve në vend.

“Sa më shumë teste që bëhen ne do të kemi një pasqyrë më të qartë për numrin e të infektuarve për qarkullimin e virusit në mesin e popullatës dhe sa më shumë teste që bëhen aq më mirë dhe ne do të bëjmë identifikimin e rasteve”, është shprehur ai.

Sipas Infektologut, muaji nëntor, dhjetor e janar janë pak më të vështirë për menaxhimin e pandemisë.

Ahmeti tutje ka kërkuar nga qytetarët që t’i ikin tubimeve në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit edhe më tej.