Shkolla Fillore "Motrat Qiriazi", Prizren.
Rriten rastet e të infektuarve me coronavirus në shkollat e Prishtinës
Tri shkolla fillore në Prishtinë kanë shënuar rastet e para me COVID-19, pas fillimit të vitit shkollor.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se në shkollën “Hasan Prishtina” një nxënëse e klases së 7-të ka rezultuar pozitiv me coronavirusin e ri.
Shala thotë se kjo klasë do ta vazhdojë mësimin online. Ajo shton se nxënësja ka vijuar mësimin vetëm ditën e hënë.
“Në shkollën “Hasan Prishtina” një klasë e 7-të vazhdon mësimin online, pasi një nxënëse ka rezultuar pozitiv dhe ka vijuar mësimin vetëm ditën e hënë”, tha drejtoresha.
Ndërkaq, për shkollën “Faik Konica” që ka katër arsimtarë të infektuar, Shala theksoi se do mbyllet shkolla e mësimi do të vazhdojë online.
Më tej ajo bëri të ditur se e njëjta situatë është edhe me shkollën “Nexhmi Mustafa”.
“Në dy paralele të ndara në Lebanë dhe Rimanishtë, tre mësimdhënës dhe një punëtor teknik, edhe këto dy paralele të ndara vazhdojnë për dy javë online”, tha Shala për KALLXO.com
KALLXO.com raportoi sot se në shkollën “Faik Konica” në kryeqytet kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 katër mësimdhënës.
Krahas saj, u raportua se edhe pesë mësimdhënës në shkollën “Bajram Curri” në Istog janë infektuar me këtë virus.