Rriten dyshimet e familjes nga Gjilani, përveç vdekjes së tre familjarëve ngordhi edhe qeni

Për vdekjen e dy prindërve dhe gjyshes së tij në Shqipëri, Haki Haliti nga Gjilani në një prononcim për media ka thënë që vdekja e tre anëtarëve të kësaj familjeje është e dyshimtë.

Ai tha se ka ngordhur edhe qeni i familjes dhe se qeni dihet se nuk konsumon kërpudha.

“Familja ka shkuar në shtëpi të vet, sepse ishin shtetas të Shqipërisë, nuk ka shkuar për ahengje. Është shtëpia jonë, kemi kaluar kohë të gjatë atje, babai ishte edhe me dokumente shtetas i Shqipërisë. Janë infektuar prej disa ushqimeve që i kanë ngrënë. Diçka që është shqetësuese për ne dhe e papërballueshme për familjen tonë është neglizhenca dhe mostrajtimi i duhur në shërbimin spitalor në Manzë”, tha ai.

Tutje ai ka njoftuar se familjarët e helmuar janë liruar nga spitali në gjendje të rëndë dhe vetëm me barna.

“Tre pacientë me shku me të njëjtat simptoma dhe të kthehen në shtëpi me barna, nuk është adekuate, pa analiza, pa ekzaminime mjekësore, pa kurrfarë përkushtimi, me liru pacientët në atë gjendje, është diçka jo e duhur për çdo mjek që i thotë vetes mjek. Kam kontaktuar me Afrimin përmes telefonit, ka thënë se kanë qenë në Spital, kanë kaluar vetëm me një serum dhe i kanë liruar, kanë shkuar në shtëpi me barna. Çdo njeri që i ka parë në atë gjendje ka mundur ta konstatojë se diçka nuk është në rregull. Nuk guxon pacienti të lirohet në atë gjendje. Ishin tre pacientë”, shtoi ai.

Tutje ai para mediave tha që tani më vetëm se kanë filluar procedurat ligjore, duke shtuar se mjekësia ligjore do ta thotë fjalën e vet.

“Ato procedura janë kryer, sepse kjo është sipas atyre e konsideruar si vdekje e dyshimtë. Ne e kemi pasur edhe një qen që ka qenë atje me prindërit. Edhe qeni ka ngordhur. Qeni e ka pasur ushqimin e vet, ajo më lë të mendoj që është shumë e dyshimtë. Qeni ka ngordhur dhe ne nuk dimë që qeni konsumon kërpudha pse pra ai ka ngordhur. Ndjekja penale do të vazhdojë sepse prokuroria ka iniciuar rastin, rasti është i dyshimtë”, ka theksuar ai.

Djali i familjes tha se ka shkuar në Shqipëri dhe se në spital i kishin thënë se tashmë ishte vonë.

“Unë shkova në Shqipëri dhe i pash familajrët. Shkova u konsultova me mjekët kujdestarë, duhej më shpejt me vepru. Fjala e tij e parë ishte se është shumë vonë. Ai më tha se helmimi nuk bën t’i kalojë 24 orë. Ne ishim 3 ditë vonë. Unë i thash se më duhet me ditë se çfarë kanë, më duhet me i ndihmu. Gati 3 orë kaluan derisa u mblodhën analizat e tyre. Mjeku më thoshte duhet me pasë analiza më shumë. Raporti mjekësor ka qenë shumë vonë”, vazhdoi ai.

Djali i familjes Haliti tha se i është dashur të presin 3 orë për një rezultat të analizave në Spitalin e Tiranës.

“Sipas raporteve që i kemi diskutuar këtu në Gjilan me ekspertë mjekësorë, sjellja e mjekëve në Gjirin e Lalzit e Tiranë ka qenë në joprofesionale. Në Spitalin e Tiranës kemi pritur tre orë për analiza. Jam konsultuar me mjekun aty në spital dhe e pyeta se çka mundemi me bo sa më shpejt, por ai më tha se është shumë vonë. Për disa analiza, ai më tha që të shkojë në laboratorin e tij privat. Kur i mora analizat pas tre ore, më tha se duhet më shumë analiza, por është shumë vonë”, tha ai.

KALLXO.com raportoi të shtunën se tre anëtarë të familjes Haliti nga komuna e Gjilanit kanë vdekur në Shqipëri.

Policia e Shtetit përmes një komunikate për media ka deklaruar si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A.H., 56 vjeç dhe F.H., 57 vjeçe, të cilët nga hetimet paraprake, dyshohet se ata kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar.

Policia ka njoftuar se është inicuar procedurë penale për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm” ndaj dy shtetasve të Shqipërisë me banim në Durrës, të cilët janë mjek në qendrën shëndetësore Manëz.

Tre anëtarë të familjes Haliti nga Gjilani vdesin në Shqipëri