Foto: Ilustrim

Rriten çmimet në prodhimet bujqësore dhe blegtorale

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për periudhën korrik-shtator 2022, bëjnë të ditur se çmimet e prodhimeve blegtorale kanë shënuar rritje.

“Në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2022, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 28.47%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 14.22%” – thotë ASK.

Ndërkaq, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 19.45 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas ASK-së, prodhimet të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: prodhimet bimore dhe ato blegtorale.

Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

Në anën tjetër, ASK bën të ditur se për cilat kategori të kafshëve grumbullohen çmimet.

“Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë” – bën të ditur ASK.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e raportit “Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e tretë të vitit 2022.

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.