Rriten çmimet e inputeve bujqësore për 5.4%

Në tre muajt korrik-shtator, çmimet e inputeve bujqësore u shtrenjtuan për 5.4 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Kjo rritje bazohet në të dhënat e grumbulluara nga ASK në barnatore bujqësore, farmacitë veterinare, tregje dhe vende tjera.

Çmimet e inputeve bujqësore shënuan rritje në tremujorin e tretë të këtij viti.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2019, indeksi i ‘Input 1’ ka rritje për 2.6%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Kurse, indeksi i ‘Input 2’ ka rritje për 8.6%“, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input I+Input II), sipas ASK-së, ka rritje për 5.4 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

ASK tregon se ku është bazuar në grumbullimin e këtyre të dhënave

“Ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende tjera ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK”, tregon komunikata.

Më tej në raportin e ASK-së thuhet se prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimit të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet, aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1); dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda Input 1, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Sa i përket Input 2, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa dhe të tjera (ndërtesa jo-rezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës).

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e indeksit “Indeksin e Çmimeve të Inputeve në Bujqësi“ për tremujorin e tretë.