
RrGK: Të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë të marrin dënimin meritor
Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve për dhunimin e vajzës 11-vjeçare në Prishtinë.
Viktima dyshohet se u dhunua në një park të kryeqytetit përderisa ishte duke ecur, ajo ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona.
“RrGK përmes këtij reagimi ngre zërin që ndaj të dyshuarve për kryerjen e veprës penale ‘dhunim’ në datën 27 gusht të këtij viti në Prishtinë, t’i shqiptohet masa e paraburgimit deri sa te merret një vendim i prerë nga gjykata dhe jo të lirohen pas 48 apo 24 orësh” – thuhet në reagim.
Tutje është bërë thirrje që të dyshuarit pas vlerësimit të provave të marrin dënimin meritor konform peshës së veprës.
RrGK është shprehur tejet e shqetësuar që deri tani vetëm dy nga pesë personat e dyshuar për dhunim janë arrestuar nga institucionet kompetente.
Ndaj dy të pandehurve, Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Themelore ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, E.R, 27-vjerçar dhe i miturit G.R, 11-vjeçar, prej një muaji.
Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.
Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.
Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.
Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.
Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.
Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.
Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.
Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.
Lidhur me këtë rast deri më tani janë arrestuar vetëm dy të dyshuar përderisa të tjerët vazhdojnë të jenë në arrati.
Sipas organit ndjekës njëri nga të dyshuarit është i njohur për organet e rendit për vepra të ngjashme penale.
Në regaimin e RrGK-së janë dhënë edhe disa statistika ku thuhet se sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mbi 70% të rasteve të dhunimeve seksuale viktima janë vajzat e mitura.
“Dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave dhe çdo lloj tjetër i dhunës ndaj grave dhe vajzave duhet të luftohet nga e gjithë shoqëria dhe çdo ushtrues i dhunës duhet të marrë dënimet meritore nga organet kompetente” – thuhet tutje.
Dhunimi i 11-vjeçares, caktohet masa e paraburgimit edhe për të arrestuarin e dytë