RrGK: Shqetësuese numri i ulët i grave të përfshira në zgjedhjet lokale në Kosovë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) e ka quajtur shqetësuese numrin e ulët të grave të përfshira në listat zgjedhore të partive politike për zgjedhje lokale që pritën të mbahen në Kosovë.

“Është shqetësuese që nga kandidatët e zyrtarizuar deri më tani, gratë mbesin shumë pak të përfshira në listat zgjedhore të partive politike. RrGK vlerëson përpjekjet e disa partive për të kandiduar gra në garën për zgjedhje lokale.  Sidoqoftë, përzgjedhja e deritanishme e shumicës së kandidatëve burra për kryetar të komunave është jashtëzakonisht problematike”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.

Rrjeti i grave ua ka rikujtuar partive politike se në rast kur ekzistojnë pabarazitë sipas ligjit ato duhet të ndërmarrin masa të veçanta.

“RrGK ua rikujton partive politike të Kosovës se neni 14 i Ligjit për Barazi Gjinore (LBGJ) i obligon ato që të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji – i cili përcakton qartë se në ato raste kur ekzistojnë pabarazitë, duhet të merren masa të veçanta të përkohshme me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike ndërmjet grave dhe burrave në ato fusha ku ekzistojnë pabarazi”, vazhdon komunikata.

RrGK-ja u ka bërë thirrje subjekteve politike që janë pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale që të kandidojnë sa më shumë gra për kryetare të komunave.

“Ne kërkojmë që partitë politike të angazhohen për të ofruar hapësirë  për gratë në këto zgjedhje lokale duke krijuar mundësi për përfshirje në përfaqësim politik edhe të grave me aftësi të kufizuara, grave rome, ashkalike, egjiptiane, gorane dhe serbe të cilat nuk janë të përfaqësuara fare”, thotë RrGK.