RrGK kundër uljes së dënimit për Nuhi Mavrovqanin

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka njoftuar se me shqetësim të thellë kanë pranuar lajmin për vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit për të ulur dënimin e përjetshëm në 25 vjet për Nuhi Mavrovqanin, i cili në korrik të vitit 2020 vrau bashkëshorten e tij S.M me shufër metalike.

Sipas një komunikate të lëshuar nga RrGK, thuhet se kjo vrasje shkundi edhe një herë realitetin e secilës që përpiqet çdo ditë që dhuna dhe vrasjet ndaj grave të marrin fund.

“Vrasja e S.M fatkeqësisht edhe një herë dëshmoi se dhuna ndaj grave, vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës. E megjithatë, kur vrasësi u dënua me burgim të përjetshëm në dhjetor të vitit 2020 nga Gjykata Themelore në Gjilan, u duk sikur drejtësia bëri një pjesë të punës së vet, duke e dënuar kriminelin, edhe pse jo duke e parandaluar krimin. Mirëpo, sot përsëri po dëshmojmë se kur flitet për vrasjet e grave, drejtësia po mbyll sytë”, thuhet në komunikatë.

RrGK i bën thirrje Gjykatës Supreme, si instancë më e lartë se ajo e Apelit, që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe dënimin ta kthejë në atë paraprak, në dënim me burgim të përjetshëm.

“Vetëm kështu ne do të bindemi se vendi ynë, institucionet e drejtësisë e ato të mbrojtjes janë në krye të detyrës sa herë që trajtohet dhuna e vrasjet e grave. RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private. Drejtësi për gratë e vrara! Drejtësi për secilën grua të vrarë e të dhunuar! Më poshtë mund të gjeni hulumtimin e fundit të RrGK-së, lidhur me dhunën ndaj grave dhe reagimin institucional ndaj saj”, thuhet në komunikatë.