Vrasja e rëndë në Prishtinë, 25 nëntor 2022 Foto: KALLXO.com

RrGK kërkon dënim maksimal për vrasjen e 63-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar ndaj vrasjes së 63-vjeçares në Prishtinë, që dyshohet se u vra me sëpatë nga bashkëshorti i saj.

RrGK ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka thënë se në vazhdën e lajmeve të përditshme për ngacmime seksuale, dhunë me bazë gjinore dhe përdhunime të vajzave si dhe në ditën kur fillon fushata botërore “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave”, ky rast shpërfaq dhe thekson pasojat e rrënjosura të normave patriarkale dhe kulturore në kuadër të të cilave gratë vriten vetëm pse janë gra.

Ato kanë kërkuar që të shqiptohet dënim maksimal dhe të mos merren si rrethana lehtësuese dorëzimi i të dyshuarit në polici dhe mosha e tij, që siç thanë ato, është praktikë e gjykatave.

Sipas tyre, vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore.

Ndër të tjera, kanë renditur disa rrethana që sipas tyre qojnë në vrasjen e grave në Kosovë.

“Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta dhe pasojnë me raste recidiviste. Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale.” – thuhet në reagimin e RrGK-së.

Viktima dyshohet të jetë vrarë me sëpatë në orët e hershme të së premtes, në Prishtinë, nga bashkëshorti i saj.

I dyshuari, 70- vjeçar është vetëdorëzuar në polici.

“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”- thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.

Sipas prokurorisë, aktualisht nga hetimet fillestare ende nuk është arritur që të zbulohet motivi i vrasjes.

“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”- thuhet në fund të njoftimit.