Gjykata Themelore e Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

RrGK dhe QIKA reagojnë për vendimin e Gjykatës për dënimin e të akuzuarit për dhunimin e një 15 vjeçare

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) kanë reaguar pas raportimit të KALLXO.com lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë për dënimin me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarit P.K për dhunimin e një 15 vjeçare në vitin 2012.

RrGK-ja ka vlerësuar se vendimet e tilla i motivojnë edhe më shumë dhunuesit, kurse demotivojnë gratë dhe vajzat për ta raportuar dhunën ndaj tyre.

“Në këtë vendim, gjykata ka përdorur arsyetime të papranueshme e skandaloze, siç janë arsyetimet se “viktima nuk kishte pësuar lëndime”, dhe se “i akuzuari kishte sjellje korrekte”. Arsyetime të tilla veçse vërtetojnë se viktima nuk ka qenë prioritet për Gjykatën Themelore në Pejë”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Në anën tjetër QIKA kanë thënë se asnjërën nga rrethanat që gjyqtarja i ka konsideruar si lehtësuese nuk e arsyetojnë dhe nuk e bëjnë të ligjshëm zbutjen e dënimit në 8 muaj burgim.

“Gjykata është dashur ta vë theksin në mënyrën e kryerjes së veprës penale – me kanosje serioze duke përdorur thikën, është dashur të marrë parasysh moshën e re të viktimës 15 vjeçe dhe faktin sesi e tillë është viktimë posaçërisht e ndjeshme dhe është dashur ta shfrytëzojë këtë rast për t’ia përçuar të gjithë dhunuesve potencial të grave e vajzave një mesazh të qartë se veprime të tilla janë të papranueshme dhe ndëshkohen ashpër”, është thënë në reagimin e QIKA-së.

Sot KALLXO.com ka raportuar se dy muaj më parë  Gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Pejë, Florije Zartriqi ka dënuar një person të akuzuar për dhunim të një 15 vjeçare me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, ndonëse sipas Ligjit dënimi i paraparë në këso raste, parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bënë edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Skandal – Gjykata e Pejës e dënon me vetëm 8 muaj burg dhunuesin e 15 vjeçares