Rrëzohet një shtyllë në Fushë Kosovë

Në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, mbi shkallët e hyrjes së 5-të të bllokut Apollonia A28, dje është rrëzuar një shtyllë me kabllo elektrike.

Banorët thonë se menjëherë i kanë lajmëruar policinë dhe KEDS-in, megjithatë ende nuk është larguar rreziku.

“Banorët e kësaj lagje janë jashtëzakonisht të shqetësuar nga kjo papërgjegjësi e organeve kompetente të sigurisë së qytetarëve dhe të shtyllave elektrike. Rreziku që i kanosen banorët është tejet i lartë, dhe ndoshta vërtetë në Kosovë duhet të ndodhin tragjedi e vdekje për t’i vënë organet kompetente në lëvizje dhe në shërbim të qytetarëve”, ka thënë një qytetar.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala i ka thënë RTV 21 se menjëherë do të dërgojnë ekipet në vendet e ngjarjes edhe pse sipas tij kjo nuk është shtyllë elektrike dhe nuk i përket KEDS-it.

“Nga foto shihet se ka vetëm kabllo të internetit/kabllovikëve”, tha Buzhala./21Media