Ilustrim, Foto: Pixabay

Rrëzohet një aeroplan në Zvicër, vdesin tre persona

Tre persona humbën jetën kur një aeroplan i vogël u rrëzua sot në mëngjes në zonën Ponts-de-Martel të Zvicrës, afër kufirit francez, tha policia zvicerane.

Përplasja ndodhi rreth orës 10:20 të mëngjesit me orën lokale në një pyll pranë fshatit La Combe Dernier në kantonin Neuchâtel, tha policia lokale.

Piloti dhe dy pasagjerët e tij vdiqën në vendin e aksidentit. Operacionet e shpëtimit rezultuan të vështira sepse përplasja ndodhi në terren veçanërisht të pjerrët, tha policia.

Shkaku i aksidentit nuk dihet menjëherë, por kanë nisur hetimet, shtuan ata./Reuters