Hand putting voting bulletin in box. Vote, choice, president flat vector illustration. Democracy and election concept for banner, website design or landing web page

Rrëzohen akuzat ndaj të arrestuarit në Florida për manipulim zgjedhor

U rrëzuan të premten akuzat ndaj njërit prej 20 personave të arrestuar nën akuzën se votuan ilegalisht, në kuadrin e një përpjekjeje të Guvernatorit të Floridas Ron DeSantis për të marrë masa ndaj manipulimeve zgjedhore.

Një gjykatës në Majami rrëzoi çështjen e ngritur ndaj Robert Lee Wood-it, duke vendosur se prokurori që mbikqyr të 20-të rastet, nuk ka juridiksion, pasi vepra penale nuk ndodhi në të paktën dy rrethe gjyqësore.

Ky vendim mund të krijojë precedentin për përfundime të ngjashme të disa apo të të gjitha çështjeve, megjithëse prokurorët lokalë mund të vendosin të ringrenë akuza. Prokurori i shtetit Nick Cox tha se zyra e tij do ta apelojë vendimin.

Zoti DeSantis, një guvernator republikan që po kandidon për t’u rizgjedhur më 8 nëntor dhe që mendohet se po shqyrton mundësinë e kandidimit për president në vitin 2024, i paraqiti arrestimet si “goditjen e parë” nga zyra e sapokrijuar prej tij për Sigurinë dhe Krimet Elektorale.

Kjo agjenci, pjesë e së cilës janë edhe zyrtarë të strukturave të zbatimit të ligjit, u krijua në kuadrin e një fushate kombëtare të republikanëve për të ashpërsuar ligjet për votimin pas pretendimeve të pavërtetuara të ish-Presidentit Donald Trump se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën.

Grupet e të drejtave civile kanë thënë se kjo zyrë mund të intimidojë votuesit, dhe se ndërkohë mund të dëmtojë besimin e publikut tek zgjedhjet. Studimet tregojnë se manipulimi zgjedhor në Shtetet e Bashkuara është shumë i rrallë. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2020, në Florida votuan 11 milionë persona.

Vendimi i së premtes vjen vetëm dy ditë pasi publikimi Tampa Bay Times bëri publike pamje të marra nga kamerat e mbartura nga oficerët e policisë gjatë arrestimeve, kur shumë prej të akuzuarve duken të shtangur nga akuzat.

Të 20 personat janë ish-të burgosur të dënuar për veprën penale të vrasjes apo krime seksuale. Një amendament kushtetues i vitit 2018 riktheu të drejtën e votës për shumë ish-të burgosur, por përjashtoi konkretisht personat që kanë kryer këto lloje veprash penale.

Në video, disa të pandehur thanë se ishin lejuar të votonin nga zyrtarët zgjedhorë dhe nuk e kuptonin pse po arrestoheshin. Sipas ligjit të shtetit, manipulimi zgjedhor duhet të shoqërohet nga paramendimi.

Në rastin e zotit Wood, prokurorët argumentuan se vota e tij, e hedhur në Miami, u dërgua përfundimisht në Tallahassee për t’u numëruar, duke përmbushur kështu kërkesën e parashikuar në ligj që shkelja të ketë ndodhur në dy vende të veçanta.

Por Gjyqtari Milton Hirsch ra dakord me avokatin mbrojtës të zotit Wood se vetë zoti Wood nuk kishte të bënte me transferimin e fletëve të votimit nga një vend në tjetrin.

“Këtu, të gjitha shkeljet penale, nëse ka patur, janë kryer nga një person në një qark”, shkruan gjyqtari në vendimin e tij.

Avokati i zotit Wood, Larry Davis, tha se prokurorët duhet ta mbyllin çështjen. Zoti Wood u regjistrua për të votuar pasi iu tha se ishte e lejuar, iu dha një kartë votuesi dhe hodhi një votë, të gjitha pa asnjë kundërshtim, tha zoti Davis.

“Nuk ka shans që ai ta kishte bërë këtë po të mos i kishin thënë se ishte në rregull”, tha zoti Davis në një intervistë nëpërmjet telefonit. “Klienti im nuk kishte absolutisht asnjë qëllim për të shkelur ligjin”.

Zyra e Guvernatorit DeSantis nuk komentoi menjëherë të premten./VOA