Rrëzimi i Qeverisë mjegullon të ardhmen politike të Francës
Kriza politike e Francës është më e thellë se kriza politike normale – vlerëson televizioni BBC, në një analizë pas rrëzimit të Qeverisë së re franceze, me votimin e së mërkurës në Asamblenë Kombëtare.
Normalisht kur një vend demokratik kalon nëpër turbulencë politike, ka njëfarë prospekti se turbulenca po shkon drejt fundit.
Por, jo sot në Paris. Nëse kurrgjë tjetër, rënia e Michel Barnierit – të rrëzuar në parlamentin me mocion votëbesimi – kërcënon të trasojë atë çfarë mund ta presë vendin – shkruan BBC.
Nëse Barnier – një i politikan i moderuar i së djathtës së Qendrës me një reputacion mirësjelljeje e kompromisi – nuk ishte i zoti ta kalonte buxhetin, atëherë kush mund ta bëjë këtë?!
Thelbi i Krizës nuk është shmangur. Është ndarja që ka përcaktuar rezultati i zgjedhjeve të Asamblesë Kombëtare në korrik, duke krijuar tri blloqe të barabarta – me asnjërën prej të cilave të zonja për t’u marrë vesh me njëra-tjetrën.
Dhe, si rezultat i kësaj, dy blloqe e përbëjnë opozitën, që gjithnjë do të jetë në gjendje ta bllokojë bllokun tjetër, që synonin krijimin e Qeverisë.
Me këtë frymë që është pothuajse e afërt me qasjen rebele në bankat e deputetëve – shto edhe ndikimin ideologjik për më shumë shpenzime buxhetore, pavarësisht paralajmërimeve të forta për borxhin kombëtar – është bërë edhe më i zorshëm kthimi i një normaliteti të zakonshëm politik.
Shumëkush mendon se kjo në të vërtetë është “krizë regjimi” – duke vënë në rrezik edhe të ardhmen e institucioneve të Republikës së Pestë.
Republika e Pestë ishte krijuar me qëllim të përqendrimit të pushtetit në duart e Charles de Gaullet, në një kohë krize kombëtare. Prej asaj kohe, presidentët janë munduar – megjithëse, kanë dështuar – që ta imitojnë staturën e tij.
Presidenti Emmanue Macron ka qejf ta krahasojë veten me të madhin Charles. Por, kur De Gaulle pati një krizë të ngjashme qeveritare më 1962, doli në zgjedhje para popullit dhe mori mandat të fuqishëm në Zgjedhjet e ardhshme.
Macroni e ka bërë të kundërtën. Ai shkoi në Zgjedhje në korrik dhe i humbi. Pushteti tani i ka rrëshqitur dhe ka kaluar në duart e Kryeministrit, që duhet t’i përgjigjet Parlamentit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com