Rreziku për mosmbajtjen e Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030", flet ministri Çeku

Lidhur me dyshimet rreth mundësisë së mosmbajtjes së Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” ka folur sonte, më 19.09.2024, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ai në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se nuk ka rrezik në këtë çështje e se janë duke u ndërtuar stadiumet, palestrat e janë duke u kryer proceset e nevojshme për mbajtjen e këtyre lojërave.

KALLXO.com kishte raportuar lidhur me rrezikun e mosmbajtjes së Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, dhe se diçka e tillë mund të ndodhë për shkak të vonesës së institucioneve të Kosovës për funksionalizimin e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare. Për më tepër, Qeveria e Kosovës i ka drejtuar Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare një letër në të cilën kërkon marrëveshje të re.

Qeveria e Kosovës i ka dërguar Lojërave Mesdhetare një marrëveshje të re ku protagonist kryesor është Qeveria e Kosovës e jo Komuna e Prishtinës siç është paraparë fillimisht nga Lojërat Mesdhetare.

Mirëpo, Çeku në paraqitjen e sotme tha se është total joserioze që të diskutohet nëse mbahen ose jo këto lojëra.

“Qeveria kur e ka dorëzu aplikacionin vet e ka quajtur “Prishtina 2030”, ne vetëm kemi thënë që organizimi i këtyre lojërave nuk mundet më u bë në vetëm një komunë me u organizu, pa kapacitetet e tetë ministrive nuk mundesh me i organizu” – tha ministri.

Tutje i pari i MKRS-së tha se nuk sheh as edhe një lloj rreziku lidhur me organizmin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ai shtoi se fshati olimpik, që tha se është një koncept apo vizion i Komunës së e Prishtinës, nuk ka të bëjë fare me Lojërat Mesdhetare.

“Ne e kemi bërë dosje për aplikim ku jemi zotuar se çfarë investime do të ndodhin deri më 2030 në mënyrë që me i organizu ato Lojëra në Kosovë, ekziston ajo dosje, prandaj janë dhjetë komuna. E kemi ditë që Prishtina nuk mundet me i akomodu krejt Lojërat dhe krejt sportistët” – tha ministri.

Më 27.06.2024, Komiteti Ndërkombëtar i kishte kthyer përgjigje Qeverisë duke i thënë që nuk mund të hyjnë në marrëveshje direkte me qeveritë ngase ata nënshkruajnë marrëveshje me qytetet.

Në përgjigjen e tyre, ata paralajmërojnë që ka rrezik që të dështojë komplet mbajtja e Lojërave Mesdhetare në Kosovë për shkak se Kosova është vonuar në zotimet që i ka dhënë.

“KNLM (Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare) ngrohtësisht fton të gjitha palët e përfshira që urgjentisht të përgatisin dokumentacionin e kërkuar (që veçse është e njohur për të gjithë), duke kujtuar që afati i fundit për të bërë operacional Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare, është 8 shtator 2024, më së largu” – thuhet në përgjigjen që presidenti dhe sekretari i përgjithshëm i KNLM-së i kanë kthyer Qeverisë.

Rrezikohet mbajtja e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 – Qeveria kërkon t’i organizojë vet ato