'Rreziku' nga TikTok-u, Departamenti i Tregtisë detajon përpjekjet për të siguruar të dhënat e SHBA-së

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden përshkroi përpjekjet e saj këtë javë për të adresuar shqetësimet në rritje të sigurisë kombëtare të SHBA-së për trajtimin e të dhënave të amerikanëve nga kompanitë e huaja.

Sekretarja e Tregtisë Gina Raimondo në një seancë dëgjimore të Senatit të SHBA-së deklaroi: “departamenti po punon për të siguruar rrjetet tona të komunikimit dhe teknologjisë dhe ne jemi pikërisht tani në procesin e punësimit të një ekipi për të bërë monitorim, hetim dhe zbatim”.

Pas seancës dëgjimore Rajmondo për Reuters tha: “Ne po punësojmë dhjetëra njerëz për të kërkuar ndonjë kompani që mund të paraqesë rrezik të panevojshëm sigurie për rrjetet tona ose për të dhënat tona”, transmeton Telegrafi.

Shqetësimet në lidhje me platformën TikTok e cila është nën pronësinë kineze, kanë ndezur përpjekje të reja në Kongres për të rritur fuqitë për ta trajtuar atë ose për të ndaluar potencialisht aplikacionin popullor të ndarjes së videove të shkurtra.

Sipas senatorit republikan Jerry Moran, të mërkurën, agjencitë e administratës Biden në një seancë të mbyllur informuan senatorët mbi “shfrytëzimin e të dhënave të Amerikës nga kundërshtarët e huaj nga platformat e mediave sociale, ndërmjetësit e të dhënave dhe kompani të tjera”.

Raportohet se rreth 20 senatorë ishin të pranishëm në seancën e informimit të organizuar nga Komiteti i Tregtisë. /Telegrafi/