Foto: KALLXO.com

Rreziku nga sasia e grimcave në ajër gjatë ditëve me mjegull

Në vitin 2018, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë lansoi një program i cili bënte matjen e cilësisë së ajrit dhe grimcave të cilat janë të përmasave  të padukshme për syrin, thithja e të cilave shkakton probleme serioze në shëndetin e qytetarëve.

Në bashkëpunim me shtetin e Japonisë, në Prishtinë prej vitit të kaluar janë vendosur disa matës së cilësisë së ajrit.

Cilësia e ajrit është e ndarë në kategori të ndryshme.

AQI(Air Quality Index) Vlerat Niveli i shqetësimit për shëndetin                Ngjyrat
Kur AQI është në këta kufijë : Gjendja e cilësisë së ajrit është: Simbolizohet me këtë ngjyrë:
0 deri 50 E mirë Gjelbër
51 deri 100 Mesatare Verdhë
101 deri 150 E pashëndetshme për grupet e ndjeshme Portokalli
151 deri 200 E pashëndetshme Kuqe
201 deri 300 Shumë e pashëndetshme Vjollcë
301 deri 500 E rrezikshme Gështenjë

Në bazë të të dhënave në këtë tabelë, gjatë ditëve me mjegull në Kosovë sipas matjeve të fundit në orët e mëngjesit dhe gjatë ditës, ajri është kryesisht i pashëndetshëm.

Ajri i pashëndetshëm për grupet e ndjeshme është prej 101 deri 150 mg/m3 grimca në ajër.

Ajri me këto nivele të grimcave është i dëmshëm për personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, të moshuarit dhe fëmijët.

Gjatë orëve të mbrëmjes ajri shpesh kap vlerën e fundit 301-500mg/m3 grimca në ajër që konsiderohet e rrezikshme për shëndetin e atyre që i ekspozohen. Ky nivel do të duhej të nxiste shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Nga ky nivel i ajrit preket e tërë popullata.

Grimcat e ngurta në ajër (PM) janë përzierje e grimcave shumë të imta të ngurta dhe piklave të lëngtë, që përfshijnë acide, kimikate organike, metale dhe grimca dheu ose pluhuri.

Madhësia e grimcave lidhet me ndikimin e tyre të mundshëm mbi shëndetin.

Grimcat me diametër më të vogël se 10 mikrometra (PM10) kalojnë përmes fytit dhe hundës deri në mushkëri. Nëse thithen me ajrin, ato mund të shkaktojnë probleme serioze për shëndetin. Këto grimca gjenden pranë rrugëve me pluhur apo objekteve industriale. Grimcat më të imta me diametër më të vogël deri në 2.5 mikrometra mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të ndikojnë edhe te organet e tjera.

Këto grimca gjenden në tymin apo gazrat e shkarkuara nga makinat, termocentralet dhe fabrikat.

Foto: KALLXO.com

Sot në orët e hershme të mëngjesit cilësia e ajrit në Prishtinë ishte mesatare AQI  “mesatare” është prej 51 deri 100. Cilësia e ajrit është e pranueshme; sidoqoftë, mund të ketë brenga mesatare shëndetësore për një numër shumë të vogël njerëzish. Për shembull, njerëzit që janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj ozonit mund të përballen me vështirësi ose probleme në kanalet e frymëmarrjes.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë vitit të kaluar deklaroi se kjo ndotje në bazë të disa ekspertëve japonezë vjen kryesisht nga automjetet dhe shtëpitë që përdorin thëngjillin për ngrohje, e sigurisht që kjo pastaj bëhet edhe më e rrezikshme gjatë ditëve kur ka mjegull sepse smogu përzihet me këto lëndë tjera të lëshuara në ajër i cili vazhdon të jetë prezent derisa të këtë erëra që e bartin tutje mjegullën.

Gjendja nuk qëndron më mirë as në komunat tjera, ku sipas matjeve të orëve të fundit cilësia e ajrit ka qenë kryesisht e pashëndetshme.

Prishtinë 126 – e pashëndetshme, Prizren 112 – e pashëndetshme, Mitrovicë 95 – mesatare, Pejë 111 – e pashëndetshme, Gjakovë 111- e pashëndetshme.

Këto vlera pritet të ngriten gjatë orëve të mbrëmjes.