Parku i Gërmisë | Foto: KALLXO.com

Rreziku nga coronavirusi, Shpend Ahmeti ndalon vizitat për në Gërmi

Si pasojë e situatës së krijuar nga coronavirusi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se për të shtunën dhe dielën do të kufizojnë lëvizjen e automjeteve prej udhëkryqit të Taukbahqes, përveç për banorë.
Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pavarësisht motit të mirë që do të mbizotërojë, nuk duhet frekuentuar Gërmia.
Ai gjithashtu njoftoi se edhe Trafiku Urban do të funksionojë vetëm deri të udhëkryqi.
“Nesër do të jetë mot i mirë, deri në 20 gradë. E kuptoj nevojën e njerëzve me dal në Gërmi në natyrë por kjo është rrezik i panevojshëm. Nesër dhe pasnesër, kemi kufizuar lëvizjen e automjeteve prej udhëkryqit të Taukbahqes, përveç për banorë. Shumë kërkojm falje për këtë kufizim por është i domosdoshëm. Edhe Trafiku Urban do të funksionojë vetëm deri te udhëkryqi”, ka shkruar Ahmeti.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave qytetarët e shumtë kanë frekuentuar parqet, përfshirë atë të Gërmisë, pavarësisht thirrjeve që të qëndrojnë në vendbanimet e tyre për shkak të coronavirusit.
Deri më tani numri me coronavirus në Kosovë ka shkuar në 21.

Ndërkaq, në botë numri i të prekurve ka arritur në 246,773.

Sipas të dhënave të fundit, numri i personave të vdekur si pasojë e virusit corona ka shkuar në 10,062 kurse i atyre të shëruar në 88,488.Kina edhe më tutje mbetet shteti me më së shumti të prekur me coronavirus, gjithsej 80,967 por nga ana tjetër është shteti me më së shumti të shëruar nga ky virus, 71,150 persona.

Pas Kinës, shteti me më së shumti të prekur nga virusi corona është Italia. Numri i të prekurve në Itali ka shkuar në 41,035. Italia ia ka kaluar edhe Kinës për nga numri i personave të vdekur nga virusi corona. Në Itali, numri i të vdekurve ka shkuar në 3,405 përderisa në Kinë, edhe pse ka dyfish më shumë persona të prekur, ka vetëm 3,248 të vdekur.