Ilustrim

Rreziku i raportimit dhe vendimmarrjes mbi bazën e perceptimit

 

“Drenica bëhet katolike”, VIP-at nisin të ndryshojnë fenë, politikanët janë të gjithë të korruptuar, gjyqësori është jo-transparent, qytetarët janë të pakënaqur me gjyqësorin etj.

Këto janë disa narrativa të cilat i lexuam e i dëgjuam në diskursin publik të javës së kaluar.

Këto informacione bashkë me vizitat në SHBA të Presidentes dhe Kryeministrit të vendit e dominuan lakueshmërinë e mediave online dhe debatin në rrjetet sociale.

Pyetja tani është e thjeshtë, tërë këtë informacion që e konsumuam a ishte i vërtetë dhe çka është bërë nga mediat deri në fund të javës për të vërtetuar nëse këto lajme realisht ishin të vërteta apo thjesht ishin informacione të rreme të cilat u shpërndanë dhe lanë gjurmë.

Pas kësaj duhet të shtrojmë pyetjet: A mund të arrijmë në konkludimin që Drenica u bë katolike duke u bazuar në një lajm që një person ka ndërruar fenë në kishën e Llapushnikut? A mund të konstatojmë që krejt sistemi i drejtësisë është i korruptuar për shkak se burri i një prokuroreje është zënë me korrupsion? A mund të konstatojmë që gjyqësori është jo-trasparent pa u futur fare në faqen e gjykatës?

Në parimet kryesore të Kodit të Etikës së mediave shkruhet qartë që gazetarët duhet të raportojnë mbi bazën e të dhënave faktike e jo mbi perceptimet e tyre mbi faktet.

Të gjithë e dimë që shndërrimi i një informacioni në fakt është një proces në të cilin përpos burimeve duhet të përdorim edhe statistikë, apo edhe një e dhënë kualitative e cila e mbështetë titullin dhe përmbajtjen e artikullit.

Por lexuesi lehtë kupton që zbatimi i këtij parimi ka ngecje të mëdha madje është vështirë të ndryshohet në mënyrën se si raportojnë disa media apo si politikanët e vendimmarrësit i marrin qëndrimet.

Është vështirë të zbatohet jo vetëm për mungesën e të dhënave, por edhe për mungesën e vullnetit të gazetarëve e vendimmarrësve për të konfrontuar të dhënat dhe për t’i dhënë publikut të vërtetën e plotë.

Raportet e organizatave jo-qeveritare mbi kënaqshmërinë e përdoruesve të gjykatave  mbi punën e gjykatave tregojnë që qytetarët që vizitojnë gjykatat kanë përshtypje tjetër prej atyre që janë në shesh për sistemin e drejtësisë.

Leximi i të dhënave të këtyre raporteve dhe leximi i të dhënave në media krijon dy të vërteta.

Qytetarët që janë në shesh mendojnë që sistemi i drejtësisë nuk funksionon, e në anën tjetër ata që shkojnë në pallat të drejtësisë mendojnë të kundërtën.

Në këtë rast nuk kërkohet të raportohet nga njëra anë, por të shikohet mundësia që të paktën raportimi të jetë i balancuar me dy mendime të paktën kur ato ekzistojnë.

Ata që lexojnë në mënyrë kritike në vendin tonë arrijnë të kuptojnë nevojën që gazetarët të nisin të raportojnë jo mbi perceptim, por mbi faktet.

Në këtë rast lind pyetja pse një gazetar kur raporton për drejtësinë nuk i ballafaqon dy mendimet, atë të qytetarit në shesh dhe atë të qytetarit tek pallati i drejtësisë?

Pyetja në këtë rast drejtohet veçanërisht tek redaksitë, redaktorët të cilët po vazhdojnë të tolerojnë raportim vetëm nga një anë e që po dëmtojnë gazetarinë e qytetarin duke i dhënë të vërtetën e pjesshme.

E vërteta e pjesshme është pothuajse në secilin sektor të jetës shoqërore të vendit.

Të vërtetën e pjesshme e gjejmë edhe në kulturë kur raportohet që qytetarët nuk shkojnë në teatër, e në anën tjetër në teatër nuk ka bileta se salla është e mbushur. E gjejmë edhe në shëndetësi kur raportohet që sistemi nuk funksionon totalisht, e në fakt janë mijëra shërbime që ofrohen (diskutimi për cilësinë në këtë rast është temë tjetër) e gjejmë pothuajse çdo kund.

Në këtë situatë ne duhet të fillojmë t’i shtrojmë vetes pyetjen nëse bazuar në një intervistë me një qytetar ne mund të themi që qytetarët mendojnë. Apo duhet të kemi një mostër e cila të paktën na e nxjerrë një të dhënë se çka po mendojnë qytetarët.

Redaksitë duhet të nxjerrin qëndrime se si arrijnë në konstatimin që qytetarët mendojnë dhe cila është mostra që e përdorin. Redaksitë duhet të nxjerrin qëndrime se kujt i thonë fenomen e kujt i thonë rast i izoluar. Redaksitë duhet të kenë mënyrë se si arrijnë të nxjerrin konstatimin që ajo çka po e raportojnë është realiteti në terren.

Raportet të cilat po i lexojmë sot na tregojnë që ndryshimi i mënyrës së raportimit do jetë proces i vështirë sidomos kur kihet parasysh fakti që mediat po vazhdojnë të punojnë pa redaktorë e pa frymën që kërkon të vërtetojë faktet dhe informacionet të cilat publikohen.

Pyetja në këtë mes është nëse nuk ke redaktorë si do arrish të kesh qëndrime editoriale, pyetja edhe më e rëndësishme është për ne si lexues, pse duhet të lexojmë nga një redaksi e cila nuk ka qëndrime editoriale?

Ngjashëm me kulturën në media procesi bëhet më i vështirë kur kemi edhe kulturën e vendimmarrjes pa u bazuar në fakte dhe të dhëna të sakta.

Po të monitoroni Kuvendin e Kosovës apo edhe komunat e Kosovës, ju do e kuptoni që vendimmarrësit vazhdojnë të kenë burim të të dhënave burimet e pasakta apo lajmet gjysmake të cilat nuk ofrojnë të dhëna të plota.

Kryetarët e komunave vendosin të marrin vendime për të shtruar rrugë duke u bazuar në diskutime ku marrin pjesë një ose dy qytetarë e qeveria merr vendime pa kryer studime të cilat do konstatonin nevojën që të merren vendimet.

Në këtë situatë ne duhet të nisim debatin që vendimet t’i marrim duke u bazuar në fakte dhe të dhëna e jo në perceptime.