Zjarrfikësit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rreziku i lartë: Prishtina sonte me vetëm 7 zjarrfikës,komandanti alarmon për mungesë të stafit

Nëse dy zjarre do të nisnin në dy zona të ndryshme të Prishtinës momentalisht, ekziston rreziku që zjarrfikësit e kryeqytetit të mos arrinin t’i fiknin të dyja.

Stacioni i Zjarrfikësve në Prishtinë ku zjarret nuk janë të rralla po funksionon me një staf shumë të vogël. Sipas komandantit të stacionit, Latif Zeka stafi që janë në ndërrim sonte mund të mos mjaftojë as për dy terrene njëkohësisht.

“Janë dikun 7 në mbramje. Me të vërtetë jemi shumë pak, shumë pak. Dy janë në pushim mjekësor, me shëndet i kanë punët shumë keq. Nuk ka kapacitet, vetëm varet prej zjarrit që bie. Për fat të mirë kanë filluar të zvogëlohen. Me të vërtetë është një katastrofë e madhe, ishalla nuk i ndodhë dikujt keq, se me të vërtetë jemi shumë keq”, tha ai për KALLXO.com.

Zeka, ka thënë se përgjegjës për rekrutimin e zjarrfikësve është Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas tij, AME-ja nuk i shpall konkurset për zjarrfikës, ndersa vetëm në Rajonin e Prishtinës kanë hapësirë edhe për 22 të tillë.

“Unë e kam buxhetin për 115 zjarrfikës, ndërsa 22 vende janë të lira, nuk i shpallin konkurset, nuk po mirren vesh”, ka thënë Zeka.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për problemet e zjarrfikësve nëpër gjithë Kosovën.

Zjarrfikësit të pakënaqur me shtesat e Qeverisë