Ilustrim: Depresioni - Foto: REL / TZIDO SUN Shutterstock
Rrezikohet të mbyllet e vetmja qendër telefonike për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë
Qendra telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve “Linja e Jetës” ka shkurtuar orarin e pranimit të thirrjeve nga ora 14:00 deri 02:00, për shkak të mungesës së financave dhe numrit të ulët të vullnetarëve rrezikohet të mbyllet.
Bind Skeja, themelues i kësaj qendre ka reaguar për ngjarjen i cili e ka cilësuar gjendje të jashtëzakonshme duke marrë parasysh që qendra nga janari e këndej ka funksionuar në baza vullnetare, pa financimin e ndonjë institucioni, donatori ndërkombëtar ose edhe lokal.
Ai bënë të ditur që janë lënë anash nga të gjithë përkundër kërkesave për bashkëpunim, kanë marrë përgjigje negative.
“Përgjigjet negative të donatorëve ndërkombëtarë dhe lokal tregojnë që rruga e vetme për shpëtimin e Linjës së Jetës është institucionalizimi i saj. Alternativat tjera veç mund ta vonojnë për disa muaj mbylljen e saj. Andaj, sot më duhet ta përsëris kërkesën bazike të cilën e kemi shtruar edhe para gjashtë viteve, që para themelimit të Linjës: Institucionalizimi i Linjës së Jetës është jetike për funksionimin e saj. Linja është jetike për parandalimin e vetëvrasjeve në Kosovë”- thotë Skeja.
Poashtu edhe në njoftimin qendrës është kërkuar kontribut financiar nga kushdo që ka mundësi në mënyre të jetë e qasshme për personat që kane nevojë, aktualisht “Linja e Jetës” po mbahet nga 50 vullnetarë/e dhe psikolog/e.
“Ju njoftojmë se nga dita e hënë (8 gusht), Linja e Jetës do te shkurtojë orarin e punës përkohësisht. Orari i ri do të jetë prej 14:00 deri në 02:00. Ky shkurtim i orarit ka qenë i detyruar për shkak të mungesës së fondeve dhe numrit të ulët të vullnetarëve” – thuhet në njoftimin e qendrës “Linja e Jetës”.
“Linja e Jetës” është themeluar në nëntor të vitit 2019, e cila punon në baza vullnetare, ku operatorët të cilët iu përgjigjen thirrësve janë persona të sfondeve të ndryshme, të përkrahur nga një ekip esencial i psikologëve.