Njëra prej këmbëve të “Urës së Zogut” është zhytur 2 metra e 40 cm në ujë pas rreshjeve të fundit

Rrezikohet me shembje ‘Ura e Zogut’

Dështimi i institucioneve për të ndalur shfrytëzimin e paligjshëm në lumin Mat ka sjellë si pasojë fundosjen e njërës prej këmbëve të Urës së Zogut –monument kulture prej vitit 1999 –dhe rrezikon shembjen e plotë të saj.

Për vite me radhë, ambientalistë dhe mbrojtës të trashëgimisë kulturore u ranë këmbanave të alarmit se ekskavatorët që nxjerrin zhavorr nga lumi Mat, po rrezikonin seriozisht “Urën e Zogut”- e shpallur monument kulture në vitin 1999.

Por shqetësimi ra në vesh të shurdhër, ndërsa rreshjet e muajit të fundit e fundosën njërën prej këmbëve të urës me 2 metra e 40 centimetra, duke rrezikuar shembjen e saj.

“Për fat të keq, kjo urë është në situatën më kritike të jetës së saj. Gjendja e saj është vërtet për të vajtuar,” thotë Dedë Margjoni, specialist i monumenteve në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër.

“Nëse nuk ka një ndërhyrje, këtë urë mund ta humbasim,” shtoi ai.

Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore  që lidhnin Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.

Prefekti i Lezhës, Gjokë Jaku fajëson mungesën e reagimit të institucioneve ndaj shfrytëzimit pa kriter të inerteve të lumit Mat për fundosjen e pjesshme të Urës së Zogut. Jaku thotë se u ka kërkuar prej muajsh me këmbëngulje Policisë dhe Prokurorisë që të ndërhynin për të ndalur shfrytëzimin, por nuk ka pasur asnjë rezultat.

“Ne së paku të mund të parandalojmë rrënimin e saj të plotë, duke parandaluar shfytëzimin pa kriter të lumit,” thotë Jaku.

Autoritetet kanë dështuar prej vitesh që të kontrollojnë shfrytëzimin me dhe pa leje të zhavorrit në lumin Mat, pavarësisht gjobitjes së disa subjekteve. Shfrytëzimi u intesifikua gjatë periudhës së karantinës së detyruar në pranverë dhe megjithë një aksion të policisë dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, shfrytëzimi i paligjshëm nuk u ndal.

Prefekti Gjokë Jaku i tha BIRN të premten se aktualisht ishin aktive vetëm 4 leje të shfrytëzimit të inerteve në lumë për projektet e infrastrukturës aty pranë. Megjithatë, Jaku pranoi se gërryerja vazhdonte ilegalisht nga rreth 40 subjekte të tjera.

“Të gjitha lejet e tjera të shfrytëzimit janë të pezulluara, por pavarësisht kësaj, po veprojnë me babëzi në shfrytëzimin e lumit përgjatë 24 orëve,” tha Jaku i revoltuar, duke pranuar dështimin e aksioneve të mëparshme.

Shfrytëzimi pa kriter i lumit Mat ndodh haptazi, por shirat e muajit të fundit e risollën situatën në vëmendje pas dëmtimit të Urës së Zogut.

Specialisti Dedë Mërgjoni i tha BIRN se nevojiten ndërhyrje emergjente për të shpëtuar urën, ose në të kundërt ajo do të shkatërrohet totalisht. Pas problematikës serioze të shfaqur së fundmi, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës inspektuan nga afër situatën, por deri tani nuk është marrë asnjë masë për të shpëtuar monumentin.

“Shkakun unë e shoh në marrjen e inerteve pa kriter që ka vijuar prej vitesh. Unë e di që makineritë e rënda kanë vepruar këtu sipas qejfit dhe bizesmenet janë pasuruar edhe ura po shkatërrohet,” tha Margjoni.

Edhe banorët e zonës thonë se masakra që i është bërë Lumit Mat me marrjen e inerteve është shkak i kësaj situate.

“Para 35 vitesh ka qenë drejt ura, se nuk i kanë pas leju me marr inerte në lumë afër urave. Por vitet e demokracisë këtu është bërë masakër,” thotë Mark Paloka, banor i zonës.

Paloka thotë se ata si banorë nuk e dinë nëse subjektet që veprojnë kanë apo jo leje, por thotë se edhe pas humbjes së këmbës së urës, situtata nuk ka ndryshuar.

“Pavarësisht situatës që është krijuar në Lumin Mat vijojnë të marrin inerte çdo ditë. Nuk e di të them a kanë apo leje, por di të them vetëm se po e masakrojnë,” thotë Paloka.

Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku thotë se dikasteri që ai drejton është angazhuar maksimalisht për shpëtuar nga shembja e plotë Urën e Zogut dhe se ka bërë propozime konkrete për masat që duhen marrë. Jaku akuzon edhe institucionet e drejtësisë, që sipas tij nuk kanë bërë asgjë për penalizmin e subjekteve.

“Ka dy vjet që institucionet e drejtësisë thuajse janë inekzistente në raport me këtë fenomen. Megjithë përpjekjet tona të herëpashershme, indicie të marra nga fenomene që ne i shohim në terren, por nuk ka asnjë hap përpara në lidhje me penalizmin e këtyre subjekteve,” përfundoi Jaku. Reporter.al