Rrezik nga zjarri në Podujevë, pajisje të paservisuara në Qendrat Mjekësore (VIDEO)

Komuna e Podujevës nuk ka servisuar aparatet kundër zjarrit në qendrat mjekësore që nga 2018-ta ndonëse obligohet me ligj që ta bëjë një gjë të tillë.

Gjatë vizitës që ka bërë KALLXO.com sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare shihet se këto aparate së fundmi janë kontrolluar në qershor të vitit 2018.

Pra, nuk janë servisuar qe tri vjet e gjysmë.

Në letërverifikimin dhe garancionin që gjendet lidhur në bombolë, shkruhej se lloji i aparatit është P6, ndërsa sipas ligjit këto pajisje duhet të servisohen çdo gjashtë muaj.

“Aparatet bartëse dhe lëvizëse për shuarjen e zjarreve duhet të kontrollohen çdo gjashtë (6) muaj”, thuhet në Ligjin për Mbrojtje nga Zjarri.

Nga Komuna e Podujevës kanë thënë për KALLXO.com se ende nuk kanë ndonjë kontratë aktive për servisimin e këtyre aparateve, kurse në lidhje me detajet rreth procedurës, të cilat i ka kërkuar KALLXO.com ata kanë kërkuar që t’iu drejtohemi me e-mail. Deri në publikimin e artikullit KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.

Sipas tyre, procedurat tenderuese ende po vazhdojnë për shkak se deri më tash i ka penguar pandemia COVID-19.

VIDEON mund ta shihni këtu.