Rrezik nga shtylla elektrike e thyer, banorët pretendojnë se ka vite që kishin kërkuar ndërrimin e saj

Banorë të fshatit Jabllanicë të Pejës po ndihen të rrezikuar nga telat e rrymës pas thyerjes së shtyllës elektrike.

Një banor i këtij fshati ka dërguar fotografi nga vendi i ngjarjes.

Fotografitë tregojnë shtyllën e thyer, gjysmën e të cilës e mbajnë pezull telat e rrymës.

Shtylla është thyer afër dyerve të oborrit të një familjeje.

Qytetari ka raportuar se për këtë shtyllë janë ankuar që nga viti 2020 dhe se askush nuk e ka zëvendësuar.

Po ashtu, në kërkesën drejtuar KESCO-s thuhet se me këtë problem ata ka disa vite që përballen.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka dërguar pyetje KEDS-it, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Në dy ditët e fundit, Kosova po përballet me një mot të lig, e me erëra të forta, të cilat vende-vende kanë rrëzuar shtylla elektrike dhe kanë shkaktuar dëme të tjera materiale.

Edhe KEDS ka raportuar për raste të rrëzimit të shtyllave elektrike dhe si pasojë një numër konsumatorësh kanë mbetur pa rrymë.