Rezeart Galica. Foto:RG

Rrezeart Galica prezantohet në Bienalen e artit në Korenë e Jugut

Artisti kosovar, Rezeart Galica po prezantohet në bienalen e artit “The Gwangju Design Biennale” në Korenë e Jugut.

Bienalja është hapur nga 1 shtatori 2021 dhe do të zgjasë deri më 31 teor 2021.

Në këtë event Galica prezantohet me veprën “RevoGame” të bazuar në temën “d-Revolution”.

Në një bisedë për KALLXO.com, Galica ka thënë se Bienalja e artit “The Gwangju Design Biennale” është njëra nga bienalet me rëndësi të veçantë në Korenë Jugore.

Andaj si e tillë, shton ai, kjo bienale përmban kritere të veçanta për pranimin por edhe për ftesën që u bën artistëve.

“Bazuar në këto kritere unë e ideova dhe e realizova një vepër bazuar në temën “d-Revolution”. Pas procedurave disamujore mora përgjigje pozitive lidhur me këtë punim timin. Dhe isha i vetmi nga Kosova në mesin e shumë shteteve pjesëmarrëse. Pjesa dërmuese e pjesëmarrësve bazuar në biografitë e tyre janë profesorë universitetesh e artistë ndërkombëtarë me bagazh artistikë domethënës në fushën përkatëse”, ka thënë ai.

Vepra me të cilën Galica po prezantohet në Gwangju, është e formatit 70×100 cm me teknikë dixhitale e koncept të bazuar në temën që bienali e ka dhënë si temë qendrore të trajtuar prej artistëve dizajnerë grafikë nga mbarë bota.

“Vepra quhet ‘RevoGame’ e cila është e harmonizuar me tipografi e elemente grafike duke paraqitur një metaforë mes lojës dhe revolucionot si term i stërpërdorur nga shoqëritë në mbarë botën”, thënë ai.

Galica ka thënë se Kosova, si shtet i ri, ka nevojë që të përfaqësohet sa më shumë në arenën kulturore botërore,  në mënyrë, që sic ka vazhduar më tej ai, të reflektojë anën kualitative të artit që ngërthen më vete si shoqëri dhe që nuk është plasuar mjaftueshëm për shkak të rrethanave e vështirësive që si izolim i ka përjetuar ndër vite.

“Krijimi i hapësirave në shtete të tjera për ekspozim e performansë na jep mundësi që edhe gjeneratat që vijnë ta kenë të trasuar si rrugë e traditë edhe në shtetet aziatike që kanë një art e kulturë të përparuar. Për mua është nder e respekt të jem krah këtyre artistëve me famë domethënëse në fushën e dizajnit grafik dhe artit në përgjithësi”, ka thënë artisti Galica, për KALLXO.com.

‘RevoGame’- Rezeart Galica.

 

Posteri i Bienales ‘Gwangju Design Biennale 2021’