Rrethanat se si polici nga Fushë Kosova u përfshi në rrahje

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se sot ka arrestuar një zyrtar policor, R.B, me gradën rreshter.

Sipas IPK-së, i njëjti ishte përfshirë në një zënkë në fshatin Miradie e Ulët.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar informacione nga Stacioni Policor i Fushë Kosovës, se në fshatin Miradie e Ulët ( Fushë Kosovë) në një rast zënke në mes disa familjeve ishte përfshirë edhe një Zyrtar Policor (R.B), me gradën Rreshter, me detyrë në Stacionin Policor Aeroporti”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Incidenti ishte raportuar të ketë ndodhur me datën 11 gusht të këtij viti rreth orës 19:30.

IPK njofton se në bashkëpunim me prokuronin e shtetit dhe Policinë e Kosovës, përveç zyrtarit policor janë arrestuar edhe tre persona të tjerë që ishin përfshirë në incident.

“Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve” nga neni 366”, thuhet në njoftim.

Inspektorati Policor ka dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndërsa ka rekomanduar që të dyshuarit, Zyrtarit Policor, t’i shqiptohet masa “suspendim nga puna”.