Ilustrim

Rreth 8% është kursimi i rrymës nga qytetarët për një muaj

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë se në muajin tetor të vitit 2022, prodhimi bruto nga termocentralet i energjisë elektrike ishte 466.71 GWh, prodhimi bruto nga hidrocentralet energjisë elektrike ishte 9.72 GWh, dhe prodhimi bruto nga era dhe ajo solare i energjisë elektrike ishte 25.26 GWh.

Në komunikatën e ASK-së për media thuhet se konsumi i energjisë elektrike ishte rreth 8 për qind më pak në muajin tetor sivjetmë se në muajin e njëjtë të vitit 2021

“Gjatë muajit tetor të vitit 2022, Energjia Elektrike bruto në Dispozicion ishte 529.93 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 377.08 GWh ose (-7.93%) më i vogël me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 9.28%.”-thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, importi i energjisë elektrike në tetor të vitit 2022 ishte 246.54 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 218.3 GWh (këtu janë të përfshira edhe sasia e transmisionit).

Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 7.55 mijë ton, ose 6.07 për qind më shumë sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e të dhënave për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.

Ky publikim statistikor paraqet të dhëna statistikore për muajin tetor të vitit 2022.