Rreth 750 qytetarë u vaksinuan sot në sallën “1 Tetori” në Prishtinë

Nga ora 08:00 sot janë hapur dyert e sallës “1 Tetori” në Prishtinë për të pritur për vaksinim qytetarët e Prishtinës dhe rajonit mbi moshën 65 vjeçare.

Menaxheri për vaksinimin e personave në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi, konfirmoi se për katër orë në këtë sallë janë vaksinuar rreth 750 persona.

“Deri në çastin që po flasim të vaksinuar janë rreth 750 persona nëse i referohemi numrit total i afrohemi numrit 5 mijë në vaksinim për sa i përket vaksinës “Pfizer”. Nëse i referohemi nga 29 marsi e deri në këtë moment që po flasim janë rreth 30 mijë vaksina të aplikueshme”, tha Bardhi.

Që nga mëngjesi është vërejtur fluks i lartë i qytetarëve për vaksinimi, pasi që janë parë me dhjetëra qytetarë duke pritur në rend për të hyrë në sallë.

Tutje, Bardhi theksoi se ka gjatë ditës kanë pasur edhe qytetarë të komunave tjera të cilët kanë dashur të vaksinohen.

“Jo asnjë qytetar me mbi 65 vjeç nuk e kemi kthyer mbrapsht, pavarësisht a ka qenë i regjistruar (në e- shëndetësia)  apo jo, por të cilët e kanë dëshmu që e kanë pasur të pamundur të regjistrohen andaj asnjë nuk është kthyer”, tregoi tutje.

Qytetarja nga Prishtina, Melihate Brada, 80 vjeçare është vaksinuar sot në sallën “1 Tetori”.  “Mirë po ndihem nuk kam kurrfarë dallimi. Po stafi shëndetësor më kanë prit shumë mirë”, tregoi ajo për KALLXO.com

Edhe Fahri Dragusha nga Prishtina është vaksinuar sot. Ai në një intervistë për KALLXO.com tregoi se momentalisht po ndihet shumë mirë edhe u shpreh i kënaqur me pritjen që i është bërë nga stafi shëndetësor.

Qytetarët do të mund të vaksinohen nga ora 08:00  – 19:30.

Dy ditë më parë Kosova ka pranuar 38,400 vaksina “AstraZeneca”, nga aleanca COVAX nëse bëjmë përllogaritje me 24 mijë vaksinat e pranuara nga kontingjenti i parë kuptojmë se deri më tani Kosova ka marrë donacion 62,400 vaksina “AstraZeneca” si dhe 4,680 vaksina Pfizer/ BioNtech nga pjesa e parë e 95 mijë vaksinave në kuadër të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Fushata e vaksinimit në Kosovë filloi më 29 mars.

Pamje – Interesim i lartë i qytetarëve për vaksinim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë