Rreth 60 media vendore e ndërkombëtare akreditohen për Zgjedhjet e 9 shkurtit

Rreth 60 media vendore dhe ndërkombëtare, me më shumë se 600 përfaqësues, janë akredituar për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë.

Akreditimi u bë në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), më 05.02.2025.

Mediat e akredituara do të mund të përcjellin nga afër procesin e votimit të dielën.

Gjithashtu, në këtë mbledhje KQZ-ja akreditoi edhe një numër shtesë të vëzhguesve të subjekteve politike: LDK (171), PDK (55), LVV (43) dhe AAK (172).

Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës mbahen më 09.02.2025.

Fushata për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë më 17.02.2008.