Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rreth 500 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 15:00

 Deri në orën 15:00, kanë votuar 495 mijë e 598 mijë votues apo 26.84 % prej 1 milion e 885 mijë e 448 e qytetarëve që kanë të drejtë vote, demonstrohet në grafikën e përditësuar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e sotme janë të regjistruar 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18-vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat do të zgjidhen kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Këto janë zgjedhjet e shtata për kuvendet komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

Vendvotimet janë hapur  në ora 7:00 dhe mbyllen në ora 19:00.