Rreth 50 të vrarë nga atentatet afër një shkolle për vajza në Kabul

Ka shkuar në 50 të vdekur bilanci i atentateve me bombë, të kryera afër një shkolle për vajza në një lagje të Kabulit, e banuar kryesisht nga shiitë hazarë, raporton AFP.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Tareq Arian, ka thënë për mediat se një veturë e mbushur me eksploziv ka shpërthyer të shtunën para shkollës “Sayed Al-Shuhada” dhe se dy bomba të tjera kanë shpërthyer në momentin kur nxënëset në panik po dilnin me ngut nga ndërtesa.

Ai ka shtuar se më shumë se 100 persona janë plagosur dhe se shumica e viktimave janë nxënëse.

Shpërthimet kanë ndodhur në lagjen e komunitetit hazar në perëndim të kryeqytetit afgan.

Sipas AFP-së, shpërthimet kanë ndodhur në kohën kur banorët po blinin harç në kuadër të përgatitjeve për festën e Bajramit.

Ndonëse përgjegjësinë për atentatin nuk e ka marrë ende askush, presidenti afgan Ashraf Ghani ka akuzuar talibanët se janë përgjegjës.