(Arkiv) Qytetarë të Kosovës duke pritur para Ambasadës gjermane - Foto: KALLXO.com

Rreth 50 mijë aplikime për termine në Ambasadën gjermane vetëm gjatë muajit mars

48 mijë e 44 kërkesa për termine për viza pune ka pranuar Ambasada e Gjermanisë në Kosovë vetëm gjatë muajit mars.

Nga këto aplikime, vetëm 500 deri në 800 viza puna do të lëshohen nga shteti gjerman për kosovarët.

“Për procedurën e shortit në mars 2022 ambasada i ka pranuar 48.044 kërkesa për terminët që janë në dispozicion për aplikim për vizë. Ambasada ofron rreth 500 deri në 800 termine çdo muaj për këtë kategori, derisa të arrihet numri maksimal i vizave prej 5.500 në vit. Mund të llogaritet, se ata, të cilët nuk kanë sukses për të rezervuar një termin, provojnë sërish në muajt pasues”, ka thënë Ambasada e Gjermanisë në Kosovë për KALLXO.com

Që nga dhjetori i vitit 2021, terminet për viza pune në Gjermani jepen përmes shortit.

KALLXO.com ka raportuar për mbi 100 mijë aplikime vetëm në muajin dhjetor 2021 dhe muaji janar për një vizë punë në Gjermani.

Ndërsa, gjithashtu, KALLXO.com ka raportuar për mbi 15 mijë qytetarë nga Kosova që morën viza punë në Slloveni në katër vitet e fundit.