Rritja ekonomike - Foto: REL/Shutterstock

Rreth 5% rritja ekonomike në 2019-ën, e qytetarët u pasuruan për 65 cent më tepër në ditë

Agjencia e Statistikave të Kosovës bën të ditur se Bruto Produkti Vendor (BPV) me çmime aktuale në vitin  2019 ishte 7 miliardë e 103.8 milionë euro. Ndërsa, rritja reale në vitin 2019 në krahasim me vitin 2018 ishte 4.94% që paraqet ngritjen më të lartë në raport me vitet e mëparshme. Ndërsa, BPV-ja për kokë banori për vitin 2019 ishte 3,986 euro. në raport me vitin 2018, të ardhurat për kokë banori u shtuan për 240 euro më tepër. Në vitin 2018 ato ishin në shumën e 3,746 euro që i bie 65 centë më tepër ne ditë.

 Aktivitete financiare dhe të sigurimit kontribuuan më shumë në këtë rritje

“Rritje reale për vitin 2019 kishte në këto aktivitete ekonomike: aktivitetet financiare dhe të sigurimit (12.1%); administrimi publik dhe i mbrojtjes, sigurimi i detyrueshëm social (9.2%); bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi (8.0%); furnizimi me energji elektrike dhe me gaz (6.5%); transporti dhe magazinimi (6.5%); shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale (6.4%); hotelet dhe restorantet (6.4%); industria përpunuese (5.3%); tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave (4.3%); ndërtimtaria (3.5%); industria nxjerrëse (3.2%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (3.1%); edukimi (3.0%); furnizimi me ujë (2.6%); aktivitetet administrative dhe mbështetëse (2.5%); dhe afarizmi me pasuri të patundshme (1.1%).”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, rënie kishte në art, zbavitje dhe rekreacion -38.8 përqind.

Ndërkaq, rritja reale sipas komponentëve kryesorë të BPV-së me qasjen e shpenzimeve për vitin 2019 ishte te: eksporti i shërbimeve 20.8 përqind; importi i shërbimeve 19.0 përqind; shpenzimet e konsumit final të Qeverisë 9.6 përqind; formimi i bruto kapitalit fiks 6.8 përqind; eksporti i mallrave 3.7 përqind: importi i mallrave 2.8 përqind; shpenzimet e konsumit final të IJPSHESH 0.6 përqind; dhe shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake 0.3 përqind. 

 

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave te Kosovës  (ASK) i bëri të ditura me publikimin e të dhënave të Bruto Produktit Vendor (BPV) për vitin 2019 sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve bazuar në ESA 2010.

Në anën tjetër, për dallim nga rritja ekonomike vitit 2019, Banka Botërore në raportin e saj tregon se në vitin 2020, për shkak të pandemisë, rritja ekonomike në Kosovë pritet të shënoi rënie prej 4.5 përqind.