Kryeministri Edi Rama, gjatë çeljes së Panairit të Punës 2016, në Pallatin e Kongreseve. Gjatë tetë viteve të qeverisjes së tij, rreth 20 mijë vetë janë punësuar në administratën publike.| Foto nga : LSA

Rreth 43 mijë shqiptarë të papunë ndërsa punonjësve të shtetit iu rritën pagat

Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e Coronavirusit të ri ka sjellë papunësi në rritje dhe paga në ulje në pjesën më të madhe të ekonomisë private dhe në profesionet më të varfra, bëri të ditur INSTAT të premten, në një kohë që as pandemia dhe as kriza nuk e pengoi një rritje të konsiderueshme me mbi 4% të pagave në sektorin publik.

Ndërkohë, 43 mijë shqiptarë raportohet se humbën punën.

Rreth 43 mijë shqiptarë humbën vendet e punës gjatë vitit 2020, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të raportuara të premten ndërkohë që kriza e thellë e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri solli një rënie të pagave në bujqësi e ndërtim, tradicionalisht dy nga sektorët më të keqpaguar në vend. Kriza, e cila mbërtheu Shqipërinë në mars dhe që u shoqërua me mbyllje të vendit për muaj me radhë dhe me sezon të dobët turistik, gjithsesi nuk e ndaloi sektorin publik të rrisë pagat e veta si në periudhë jo krize.

INSTAT bëri të ditur se paga mesatare bruto për të gjithë ekonominë në tremujorin e katërt 2020 ishte 54,951 lekë, me një rritje prej 2.8% në krahasim me vitin 2019, por kjo rritje duket se u shkaktua kryesisht nga rritja e pagave të sektorit publik me 4.2%. Pagat në sektorin publik janë mesatarisht 66,479 lekë për të punësuar ndërsa ato në sektorin privat janë 49,440 lekë.

Pagat në sektorin privat pësuan një rritje prej 1.3% por kjo rritje ishte e pabarabartë. Sektori i bujqësisë i cili ka edhe pagat më të ulëta, pësoi një rënie me 4% ndërsa pagat në sektorin e ndërtimit ranë me 1.8%.

Instituti i Statistikave vlerëson se afro 1.23 milionë shqiptarë klasifikohen si të punësuar në fund të vitit 2020, nga 1.27 milionë që vlerësoheshin në fund të vitit 2019. Diferenca prej 43 mijë vetësh përbën vendet e punës të humbura për shkak të pandemisë.

INSTAT përdor një përkufizim shumë të gjerë të konceptit “i punësuar”. Në shifrën prej 1.26 milionë njerëz përfshihen edhe rreth 450 mijë banorë të zonave rurale që konsiderohen si “të vetëpunësuar në bujqësi” pavarësisht nëse ky aktivitet u jep të ardhura apo është sa për mbijetesë.

Pandemia ka shkaktuar krizë në të ardhurat buxhetore por kjo duket se nuk e ka penguar qeverinë të rrisë numrin e të punësuarve në shtet. Sipas raportimeve të INSTAT, në fund të vitit 2020 në sektorin publik kishte 182 mijë të punësuar, gati 8 mijë më shumë se sa një vit më parë. Qeveria aktuale ka shtuar mbi 20 mijë të punësuar në sektorin publik përgjatë tetë viteve të fundit, në një kohë kur popullsia rezidente ka rënë./ reporter.al