Rreth 42 mijë aplikacione nga diaspora për të votuar në zgjedhje

Rreth 42 mijë është numri i votuesve të paraqiturve nga diaspora që dëshirojnë të votojnë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kështu ka bërë të ditur, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, i cili tha se aplikimet janë bërë përmes postës dhe shërbimeve tjera të votuesve.

“Në total numri është 42 mijë e 300, për të cilët është në proces vlerësimi  tyre. Po ashtu përmes postës është në procesim dhe numri i tyre është rreth pesë mijë dhe besojmë që gjatë dy ditëve të ardhshme do të përfundojmë procesimin e këtij materiale që ta kemi të gatshëm për procesin e votimit”, tha Halimi.

Kurse, sa i përket kërkesave për ndryshim të qendrave votuese në Kosovë, Halimi tha se kanë aplikuar rreth 5 mijë qytetarë.

“Sa i përket ndryshimit të qendrës së votimit i kemi 5 mijë e 900 dhe vlen të ceket se këto kanë ardhur në dy mënyra elektronike dhe po ashtu përmes zyrave tona në komuna. Ne mbledhjen e radhës do ta kemi raportin që është aprovuar ndërrimi i qendrës së votimit dhe refuzimin”, tha tutje ai.

Në këtë mbledhje të KQZ-së po ashtu është marrë vendim për decertfikimin e tre kandidatëve të Partisë Euroatlantike dhe një të partisë Fjala.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor. Deri te zgjedhjet erdhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në këto zgjedhje do të votojnë vetëm personat që kanë dokumente të Kosovës.