Rreth 21 mijë persona të vaksinuar me “AstraZeneca” në Kosovë

Vaksinimi me vaksinën “AstraZeneca” kundër SARS-CoV-2 është duke vazhduar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komuna tjera.

Niman Bardhi menaxher për vaksinim në sallën “1 Tetori” tregoi se deri me tani në nivel vendi janë 5,600 persona të vaksinuar me “AstraZeneca” në sallën “1 Tetori”, ndërsa ai tha se 21 mijë vaksina janë të dhënë tek qytetarët e Kosovës

“Nga data 8 prill deri më sot kur kemi filluar me vaksinimin e grupmoshave nga 85 deri në 80 vjeç, dhe  tash nga ata mbi 75 vjeç i kemi gjithsej të vaksinuar 3,072 persona”, tha Bardhi.

“Nëse i referohemi të dhënave nga data 29 mars e deri më sot, del se 5,600 persona janë vaksinuar në sallën “1 Tetori”, por nëse flasim në nivel vendi atëherë ne jemi rreth kuotës të 21 mijë dozave të dhëna në total”, shprehet tutje.

Sa i përket fillimit të vaksinimit për personat e grupmoshave 70 deri 74 vjeç, Bardhi thotë se duhet vendos Komiteti Drejtues, pra Ministria e Shëndetësisë, ndërsa për fillimin e dozave të dyta, ai sqaroi se në momentin që vendi furnizohet me vaksinë do të fillohet dhënia e dozës së dytë.

Vaksinimi me “AstraZeneca” në Kosovë ka filluar më 29 mars 2021, një ditë pasi në vend arriti kontingjenti i parë me vaksinën kundër COVID-19, donacion nga UNICEF nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian do të furnizoj Kosovën me 95 mijë vaksina kundër coronavirusit, të cilat pritet të vij nga muaji maj deri në fund të gushtit.

BE: 95,000 vaksina anti-COVID do të arrijnë në Kosovë nga muaji maj – deri në fund të gushtit