Rreth 2 milionë votues për 6 tetor, pastrohen nga listat rreth 33 mijë emra

Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën është marrë vendim për pastrimin e listave zgjedhore ndërsa ka njoftuar edhe për numrin e përgjithshëm të votuesve në zgjedhjet e së dielës më 6 tetor.

“Lista preliminare e votuesve përmban 1 milion e 972 mijë e 466 emra të votuesve. Krahasuar me listën përfundimtare të votuesve të Zgjedhjeve Lokale të datës 22 tetor 2017, për këto zgjedhje, lista preliminare e votuesve përbën 115,215 emra të votuesve më shumë”, u kumtua në mbledhjen e KQZ-së.

Gjithashtu, KQZ vendosi edhe për largimin e 33 mijë e 791 emra të votuesve si të vdekur ose si votues që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e 31 të KQZ-së gjithashtu u prezantua edhe numri i votuesve të regjistruar nga jashtë.

“Sa i përket aplikacioneve të pranuara për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, prej datës 30 gusht 2019 deri sot në 10:30, përmes e- mailit kemi pranuar gjithsejtë 4 mijë e 977 aplikacione për regjistrim”, u tha gjatë mbledhjes.

Gjithashtu, materialet për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës u janë dërguar përmes e- mailit 188 pikave shpërndarëse në 28 Ambasada të Kosovës, 29 misione konsullore dhe 131 persona kontaktues të subjekteve politike në diasporë.

Regjistrimi për votuesit jashtë Kosovës është hapur nga 30 gushti dhe do të zgjatë deri më 10 shtator 2019.

Në Komisionin Qendror Zgjedhor, kanë aplikuar katër koalicione për zgjedhjet e 6 tetorit.

Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (27 – 30 gusht) në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim janë deklaruar këto parti politike se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit:

Koalicioni Vakat, i deklaruar ndërmjet 3 Partive Politike: Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka;

Koalicioni AAK–PSD, i  deklaruar ndërmjet 2 Partive Politike: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate.

Koalicioni NISMA–AKR–PD, i deklaruar ndërmjet 3 Partive Politike: Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë; dhe Koalicioni Sloboda, i deklaruar ndërmjet 2 Partive Politike: Progresivna Stranka Kosova dhe Nova Partija Kosova.

Këto zgjedhje vinë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.