
Numrimi i votave - Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Rreth 2/3 e votave me postë të vlerësuara fillimisht si të pavlefshme, shpallen të vlefshme pas rinumërimit
Mbi 1 mijë votime që ishin shpallur të pavlefshme nga votat me postë, janë rivlerëzuar si të vlefshme.
Kjo pas vendimit të PZAP-së për rinumërim dhe rivlerësimin e 1 mijë e 631 fletëvotimeve të pavlefshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për KALLXO.com se 585 fletëvotime janë vlerësuar përsëri si të pavlefshme.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zbatuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin dhe rivlerësimin e 1,631 fletvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë. Pas përfundimit të rinumërimit të këtij procesi, 1,046 fletëvotime janë riverësuar të vlefshme, ndërkaq 585 të tjera janë vlerësuar njëjtë, si të pavlefshme” – ka deklaruar Elezi.
Partia e parë me më së shumti vota nga Zgjedhjet e vitit 2025 është Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 396,022 vota, apo 42.27% – duke siguruar kështu 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Pas LVV-së, Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta me 196,353 vota, apo 20.96%, e cila do t’i ketë 24 mandate. Lidhja Demokratike (LDK) me 171,249 vota, apo 18.28% do t’i ketë 20 deputetë. Kurse, Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota, apo 7.07%.
Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera janë fituar nga komunitetet tjera joshumicë, me dy deputetë Kosova Demokratik Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.